Rinumërimi në Fier, Zegjineja drejt rikonfirmimit në Kuvend
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nën monitorimin e anëtarëve të KAS nisi këtë të martë rinumërimin e votave për qarkun e Fierit. Në total janë 587 kuti votimi për t’u numëruar. Sipas të dhënave të reflektuara në faqen online të KQZ në 283 kuti të numëruara deri më tani Partisë Demokratike i janë shtuar 76 vota ndërsa PS i janë hequr 19.
Koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet inicuese e kërkesës për rinumërimin e qarkut Fier, i janë shtuar 10 vota. Social Demokratëve të Tom Doshit i janë hequr 3 vota ndërsa dy vota i janë hequr Partisë Aleanca. Për votën preferenciale deri më tani nga demokratët ka rezultuar se është mbajtur me hatër Silva Hasaj duke i shtuar padrejtësisht 588 vota pasuar nga Gentian Çela me 223 vota më shumë se çfarë i takonin.
Rinumërimi i ka ardhur në ndihmë kandidatit socialist Klevis Jahaj të cilit komisionerët i kishin hequr 210 vota pasuar nga Antoneta Dhima me 20 vota. Ceno Klosi ka marrë 381 vota plus që nuk i takonin.
Kandidatja më virale socialiste e Fierit, Zegjine Caushi e cila e fitoi mandatin për vetëm 61 vota deri më tani i janë hequr 17 vota. Kërkesa për rinumërimin e Fierit ishte e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, i cili pretendon një mandat, për t’ia marrë Partisë Socialiste. E që kjo të ndodhë i duhen 517 vota të cilat deri më tani nga kutitë e rinumëruara duket një mision i vështirë.
KOHA JONË SONDAZH

