Rivitalizimi i Parkut Kombetar të Lurës
Të dielën e 26 qershorit Agjencia për Zhvillim Rajonal 2 Tiranë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Ministrinë e Arsimit dhe bashkitë Peshkopi, Bulqizë, Mirëditë dhe Mat kanë organizuar të parin aktivitet në kuadër të projektit Rivitalizimi i Parkut Kombëtar të Lurës. Ky aktivitet i parë konsiston në ndërgjegjësimin e shoqërisë ndaj ruajtjes së vlerave mjedisore dhe trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Me shumë se 200 të rinj të shkollave të mesme të bashkive Peshkopi, Rrëshen, Burrel dhe Bulqizë i janë bashkuar aksionit të nisur në zonën e Liqenit të Madh të Parkut të Lurës për pastrimin e tij. Në aktivitet përveç kryetarëve të njesive përkatëse të pushtetit vendor ka marrë pjesë edhe Këshilltari i Kryeministrit, Sandër Lleshi, i cili ka shprehur mbështetjen e kryeministrit Rama për realizimin e këtij projekti.
“Jemi rritur dhe kemi jetuar në një vend ku Lura përmendej si një nga perlat e natyrës shqiptare”, ka thënë këshilltari I Kryeministrit Rama. “Për fat të keq dëmtimet e këtyre 25 vjetëve kanë qenë të mëdha, por unë jam këtu për të shprehur mbështetjen e Kryeministrit dhe qeverisë Shqiptare për të iniciuar një projekt që do ta kthejë Lurën në një destinacion turistik dhe për t’i dhënë vendin që I takon këtij parku”.
Gjithashtu kryetaret e bashkive kane shprehur kënaqësine dhe falenderimet për këtë nismë të iniciuar nga Agjencia për Zhvillim Rajonal Tiranë për Lurën.
Pas aktivitetit përfaqësuesit e njesive të qeverisjes vendore dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kanë nënshkruar me Agjencinë për Zhvillim Rajonal 2 Tiranë nismën e përbashkët për rivitalizimin e Parkut të Lurës. Kjo nismë parashikon: pastrimin e mbetjeve drusore dhe mbeturinave; mbjelljen e farave të llojeve të bimëve të instaluara në park; fushata sensibilizimi në komunitetin që jeton në zonë dhe në te gjithë opinionin publik; pjesmarrje të komunitetit të zonës në rivitalizim, por edhe të të gjithë aktorëve dhe opinionit;
politika e projekte për nxitjen e turizmit malor në çdo stinë; përmirësim të infrastrukturës rrugore dhe asaj akomoduese turistike; marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet bashkive dhe agjencive për projekte konkrete dhe mbështetje financiare nga donatorë të ndryshëm për të realizuar kështu fillimin e një ripërtëritjeje të organizuar të zonës;
Për konkretizimin e mëtejshëm të kësaj nisme është parashikuar edhe hapja e një llogari bankare, me të cilën ftohen të kontribuojnë të gjithë njerëzit, institucionet shtetërore, biznesi privat dhe institucionet financiare në vend. Kjo llogari do të menaxhohet nga strukturat përkatëse vendore që kanë përgjegjësinë direkt për ruajtjen dhe kujdesin e vazhdueshëm të këtyre burimeve natyrore të pazëvendësueshme
Pas aksionit të organizuar dje në zonën e Liqenit të Madh, i cili do të vazhdojë edhe në vijim nga komuniteti i zonës, nën mbikqyrjen e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura të qarkut të Dibrës, të rinjtë pjesëmarrës janë bërë pjesë e konkursit të organizuar në bashkëpunim me Drejtorine Arsimore Rajonale të Dibrës me temë “Propozimi më i mirë për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës 20 vitet e ardhshme”. Të ndarë në 7 grupe sipas shkollave ku studiojnë të rinjtë kanë prezantuar projekte dhe ide se si dhe çfarë duhet bërë për zhvillimin e parkut të Lurës. Ata kanë paraqitur ide të ndryshme se si e mendojnë zhvillimin e zonës dhe partneritetin për të cilin kanë nevojë për këto ide. Në fund juria e përbërë nga Këshilltari Sandër Lleshi dhe kryetarët e bashkive pjesëmarrëse kanë shpallur dy grupet fituese, njëri i Dibrës dhe tjetri i Rrëshenit, duke lënë njëherësh të hapur edhe mundësinë e bashkëpunimit me këta të rinj për përmbushjen e ambicjes së tyre për zonën ku jetojnë.
Nga një monitorim i kujdesshëm janë identifikuar zonat më të ndjeshme dhe të prekura nga degradimi mjedisor për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme.
Parku i Lurës, deri para pak vitesh i famshëm për pasuritë e mëdha që ka në drejtim të diversitetit, të florës dhe faunës, që më parë konsiderohej unik në llojin e vet, është tjetërsuar dhe gjendet në prag të degradimit të plotë. Aktualisht, sipas vlerësimeve nga specialistë të mjedisit, pothuajse 50 për qind e sipërfaqes së Parkut është dëmtuar nga ndërhyrjet e një shfrytëzimi pa kriter të sipërfaqes pyjore që rrethon liqenet e famshëm të kësaj zone. Dëmtime të mëdha të florës kanë dhënë pasojë të drejtpërdrejtë edhe në reduktimin e ndjeshëm të faunës së kësaj zone duke rrezikuar edhe zhdukjen e disa specieve krejtësisht të veçanta.
Për rikuperimin e gjendjes kërkohen ndërhyrje konkrete, të cilat padyshim e kanë fillimin e tyre në sigurimin e një infrastrukture bashkëkohore sipas normave të BE-së që mundësojnë zhvillimin e turizmit dhe ndihmojnë në rritjen e punësimit dhe mirëqenies.
Për të rritur shkallën e vetëdijes të të gjitha strukturave, të popullsisë që jeton aty pranë dhe që gëzon benefitet e kësaj pasurie, por edhe për të bërë më të ndjeshëm të gjithë opinionin shoqëror në të gjitha shtresat e popullsisë, duke filluar nga nxënësit e shkollave dhe deri tek institucionet që ligjërisht janë përgjegjëse direkt për mbrojtjen e tyre, kjo nismë u zhvillua nën sloganin: “Mjedisi, streha jonë e përbashkët”.
KOHA JONË SONDAZH

