Robert Elsie, albanologu që shpaloi kulturën dhe historinë tonë edhe përmes fotografisë
Albert Vataj
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Fotografisë, kam një listë të gjatë emrash dhe kontributorësh, pasionantësh dhe përkushtuesish, të cilët i dedikun pothuajse gjithë jetës së tyre fotografisë, edhe atyre të tashmëve që si dishepujt po “predikojnë” besimin e tyre te magjepsja përmes syrit fokusues.
Por sot besoj se ai që meriton përulësisht mirënjohjen tonë, është albanologu kanadezo-gjerman, Robert Elsie, i cili në faqen e tij në internet www.elsie.de, ai e la si amanet dhe testament, një nënfaqe që i dedikon fotografisë, të cilën ai e konsideronte si “Zbulimi i Shqipërisë, si dhe të kulturës dhe të historisë së saj, nuk fillon vetëm me tekste, por edhe me fotografi. Për këtë arsye dëshirojmë t’ia ofrojmë publikut shqiptar dhe botëror disa pamje të rralla nga e kaluara e shqiptarëve.”
Puna që ai bëri për të përzgjedhur dhe për të kataloguar respektivisht sipas fotografëve dhe viteve që përfaqësojnë, është e denjë për admirim, sepse pakkush si ai, u dha me mish e me shpirt, dhe na la një enciklopedi të fotografisë që flet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Fotot e tij sot përdoren dhe keqtrajtohen nëpër postime të ndryshme, shpesh pa cituar burimin dhe pa i shprehur konsideratë mundit dhe përpjekjeve që Robert Elsie bëri për një Histori të Shqipërisë të treguar nga të huajt dhe jo vetëm, përmes fotografisë.
E sjell shkrimin e koverit të faqes, si një homazh dhe mirënjohje për të, për punën dhe përkushtimin plot pasion, për thjeshtësinë dhe dashamirësinë, mirësinë dhe përzemërsinë, që ai mëkoi me gjithkënd u takua dhe gjikush që hyri në zemrën e tij për të mbetur në përjetësinë e një njeriu të përkorë.
Fotografët e parë në Shqipëri dhe në Jugperëndim të Ballkanit
Robert Elsie
Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni në vjeshtë të vitit 1863, albanologu Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869) u shoqërua nga fotografi austriak Jozef Sekeli (Josef Székely, rreth 1838- 1901), i cili thuhet se ka bërë ndër fotografitë më të hershme të Shqipërisë. Koleksioni i tij përfshin 50 fotografi, me pamje të Shkodrës, të Prizrenit, të Ohrit dhe të Manastirit.
Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë ishte dukuri e zakonshme për udhëtarët, shkencëtarët dhe albanologët në Shqipëri të merrnin në aparat fotografik me vete për të fotografuar vendin. Ky material, jo gjithmonë fotografi me cilësi të lartë, u shfrytëzua për të ilustruar librat e tyre për Shqipërinë. Disa koleksione nuk u botuan kurrë, dhe mbeten tani – një shekull më vonë – për t’u zbuluar.
Historia e fotografisë vendase në këtë rajon të Evropës juglindore, d.m.th. të fotografëve nga rajoni vetë, lidhet në mënyrë të veçantë me dy koleksione me famë.
Fototeka Marubi në Shkodër përfshin rreth 150.000 fotografi, shumë prej tyre me një rëndësi të dukshme historike, artistike dhe kulturore. U përpilua nga tre breza fotografësh. Pjetër Marubi (Pietro Marubbi, 1834-1903) ishte piktor dhe fotograf italian i cili, si përkrahës e Garibaldit, u detyruan të ikte nga Piaçenca të Italisë për arsye politike dhe gjeti strehim në Shkodër rreth vitit 1850. Aty, themeloi dyqanin Foto Marubi me disa aparatë fotografikë që i kishte sjellë me vete. Fotografitë më të vjetra të koleksionit janë nga vitet 1858-1859. Disa foto të Marubit u botuan në revistat The London Illustrated Neës, La Guerra d’Oriente dhe L’Illustration. Marubi u ndihmua nga djali Rrok Kodheli (1862-1881) dhe nga vëllai i tij, Kel Kodheli (1870-1940), i cili më vonë, pas vdekjes së Pjetrit, e mori në trashëgim firmën familjare dhe u bë i njohur si Kel Marubi. Keli mësoi të përdorte efekte të posaçme dhe të përpunonte negativat. Gjithashtu filloi të fotografonte jashtë studios me aparate më bashkëkohore.
Lidhur ngusht me familjen Marubi ishte fotografi dhe piktori Kolë Idromeno (1860-1939) i Shkodrës. Me mbështetjen e Pjetër Marubit, prej të cilit mësoi artin e fotografisë, ai shkoi në Venedik në vitin 1875 për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura. Ai nuk arriti të përfundonte mësimin dhe e braktisi Akademinë pas gjashtë muajve, mirëpo mbeti në Venedik dhe punoi disa vjet si ndihmës i një piktori venecian, për të kthyer në Shqipëri në vitin 1878. Në vitin 1883, Idromeno hapi një fotostudio me aparatë fotografikë të marrë nga shoqata Pathé në Francë. Në vitin 1912, importoi për herë të parë në Shqipëri aparate filmike dhe shfaqi filme. Në gusht të atij viti, firmosi një kontratë me shoqatën Josef Strauber në Austri për të krijuar atë që mund të quhet kinemaja e parë në Shqipëri.
Brezi i tretë i fotografëve Marubi ishte djali i Kelit, Gegë Marubi (1907-1984). Ai studioi në Lion të Francës në 1923- 1927 pranë shkollës së parë të fotografisë dhe të kinemasë të themeluar nga vëllezërit Lymier, dhe punoi në Shkodër si fotograf nga viti 1928-1940. Ishte i pari në familje që përdori celuloid në vend të pllakave prej xhami.
Fotostudio Marubi kap dhe dokumenton historinë e Shqipërisë së Veriut që prej Lidhjes së Prizrenit e mëtej. Përfshin fotografi të mahnitshme të udhëheqësve të fiseve të veriut, të kryengritjeve të malësorëve, të jetës qytetare në Shkodër dhe të ngjarjeve publike të ndryshme. Vetëm pak fotografi janë botuar deri tani. Që prej vitit 1994, me mbështetjen e UNESCO-s, bëhen përpjekje për të shpëtuar koleksionin dhe për ta bërë të njohur.
Koleksioni tjetër i njohur i fotografisë dhe të cinematografisë ballkanike ështe ai i vëllezërve Manakis në Maqedoni. Janaki Manakis (1878-1954) dhe vëllai Milton Manakis (1882-1964) lindën në fshatin Avdela afër Grevenës, tani në veri të Greqisë, dhe ishin me prejardhje vllahe (aromune). Nga 1898-1904 kishin një dyqan fotografik në Janinë dhe në vitin 1905 u vendosën në Manastir, tani në Republikën e Maqedonisë, ku hapën Studion për Artin Fotografik. Janaki dhe Milton Manakis bënë më shumë se 17.300 fotografi në 120 vende të ndryshme. Në vitin 1905 realizuan edhe filmin e parë në Ballkan.
Në Shqipëri janë edhe koleksionet e Shan Picit (me rreth 70.000 fotografi), të Dedë Jakovës (me rreth 50.000 fotografi) dhe të Raboshtës, të gjitha të lidhura ngushtë me shkollën e Marubit në Shkodër. Koleksione të tjera të rëndësishme të fotografisë së hershme ndodhen në Korçë. Ndër ato janë veprat e Petro Dhimitrit (1861-1946), i cili filloi si fotograf bredhacak në vitet 1890; të Kristaq Sulidhit, i cili mësoi profesionin në Greqi; dhe të Vani Burdës të Bukureshtit i cili hapi një fotostudio në Korçë në vitet 1920. Me një interes të veçantë është vepra e Kristaq Sotirit (1883-1970) të Korçës, student i Sulidhit, i cili mërgoi në Shtetet e Bashkuara në 1902-1903 dhe punoi fotograf në Nju Jork dhe Los Anxheles. Në vitin 1923 u kthye në Korçë dhe, bashkë me piktorin e njohur korçar Vangjush Mio (1891-1957), hapi fotostudion Sotiri, të njohur në juglindjen e Shqipërisë. Janë ruajtur rreth 14.000 fotografi të këtij koleksioni. Mund të përmenden edhe Ymer Bali i Tiranës, Mandi Koçi (1912-1982) i Voskopojës, Jani Ristani i rrethit të Gjirokastrës, Misto Cici i Pogradecit dhe Xhimitiku i Beratit. Megjithëse nuk lidhet drejtpërsëdrejti me Shqipërinë, nuk duhet harruar në historinë e fotografisë shqiptare edhe emri i Gjon Milit (1904-1984), i cili mërgoi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1923, studioi në Institutin e Teknologjisë të Masaçusec-it (Massachussetts Institute of Technology) dhe u bë i famshëm si fotograf për revista të njohura amerikane si Life dhe Fortune.
Kjo faqe http://www.albanianphotography.net/index.html
Kjo faqe interneti nuk synon të ofrojë një prezantim sistematik të fotografisë shqiptare. Ajo paraqet thjesht disa koleksione, deri tani kryesisht të panjohura, të fotografisë të hershme për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Fotografisë, kuptuar si një datë, jo vetëm për të rrëmbyer vëmendje dhe mbledhur klikime, për të treguar për fotografinë, por edhe për të shprehur vlerësim dhe mirënjohje ndaj Robert Elsie, dhe gjithë atyre që nuk e lanë që kjo pjesë e vetëdijes sonë të vdiste, nuk lejuan që ajo t’i përkiste harrimit, por me shpirtin e madh të devocionit përkushtues, e sollën atë nga skutat më të errëta, e nxorën nga raftet plot myk, e shfletuan nga faqet e groposura nga pluhuri, dhe duke i dhënë frymë prej të tyres i bënë ata që të jenë në jetë edhe sot.
Fal Robert Elsie dhe shumë zelltarëve të fotografisë, kemi këtë art të magjishëm si një mënyrë komunikimi, si një qasje për të bashkëndarë dhe bashkëjetuar emocione dhe përjetime, për t’u përshfshirë në kohë dhe dimensione, për ta parë fotografinë, të vjetrën dhe të renë ,dhe për ta pranuar, përfaqësuar dhe mbrojtur atë që është e jona dhe do të mbetet e atyre, që e meritojnë këtë testament të së vërtetës dhe të së bukurës që mëkon fotografia.