Historia e KJ/Robert Rakipllari: Edhe një tjetër radio private. Radio “Elektron” mes aventurës dhe pasionit

(Botuar me 9 Shkurt 1995 në KOHA JONE)

Me protagonistët e radio “Elektron”
Është një dhomë e thjeshtë studentore e godinës 28 e Qytetit Studenti, nga e cila dalin valët e një radio, emërtuar “Elektron”. Janë disa aparatura tepër të thjeshta, sajime modeste të mendjeve të studentëve të inxhinierisë elektronike. Të nxitur nga pasioni që kanë për profesionin e tyre këta katër studentë ndërmorën një aventurë të bukur, atë të vënies në funksionim të një radio. Megjithëse pa asnjë përvojë, por vetëm nga dëshira për të sjellë një diçka të re dhe të panjohur ata ia arritën qëllimit të shpërndajnë valë radiofonike me rreze IKM. Këta studentë nuk kanë njohuri nga fusha e gazetarisë, por është dëshira dhe pasioni për të krijuar një sigël radioje që tashmë quhet “Elektron”. Pra një aventurë e nisur në një dhomë të thjeshtë që mban nën vete disa aparatura po kaq të thjeshta dhe ku spikat një mikrofon i cili është përçues i mendimit të studentëve.
Si lindi ideja për sajimin e një radioje?
Ishte vetëm një provë jo serioze. Donim të vinim në zbatim njohuritë tona në fushën e elektronikës. E pra, nga një provë aventureske ajo mori përmasa serioze.
A patët vështirësi në sigurimin e aparateve të emetimit të valëve dhe materialit muzikor?
Sigurisht. Në fillim kishim disa aparate të vjetra laboratorike. Duke vënë në përdorim aftësitë tona në elektronikë me disa peripeci dhe pa asnjë sponsorizues arritëm të sajojmë diçka.
Mendoni se radioja juaj nga një aventurë diletantësh ka krijuar formatin e saj programor?
Transmetojmë rreth 8 orë program. Kryesisht tani për tani nuk mund të flasim për programe të rregullta. Por radioja ka krijuar fizionominë e saj. Muzika, informacionet kulturore, përshëndetjet e studentëve për njëri-tjetrin përbëjnë programin e radios tani për tani. Mendojmë se rubrikat e ndryshme kulturore dhe argëtuese mendojmë se do të jenë elementë të rinj të këtij programi.
Si qëndron raporti midis gazetarisë dhe elektronikës?
Nuk kemi njohuri në fushën e gazetarisë dhe nuk jemi nisur nga pasioni për të. Profesioni ynë inxhinieria elektronike qe nxitja kryesore drejt kësaj aventure. Pra ne nuk mund të flasim për raporte gazetari elektronikë, por dimë të themi se ekziston një lidhje e ngushtë midis tyre.
A jeni të hapur për studentët dhe krijimet e tyre?
Radioja jonë është e hapur për gjithë studentët që kanë një mesazh, një krijim letrar, apo një informacion kulturor. Pra gjithçka është specifikuar për një publik rinor studentor. Jemi të hapur gjithashtu ndaj subjekteve private të cilët do të kontribuojnë për përzgjedhjen e materialit muzikor i cili do të ndikojë në rritjen e cilësisë së programit.
Çfarë synoni në një perspektivë të afërt, kur radioja juaj do të legalizohet?
Planet janë të shumta dhe konkrete, por këto lidhen me fuqinë financiare e cila nuk lejon në radhë të parë të zgjerojmë rrezen e transmetimit si edhe orët e këtij transmetimi. Gjithçka që mund të bëjmë do të jetë e specifikuar për dëgjuesin studentor. Kjo iniciativë spontane është një shkëndijë që lind në sfondin e medias shqiptare. Megjithëse aventureske ajo është shprehje e mendimit dhe pasionit të energjive rinore. Pasioni rinor i prirë vetëm për ndryshime për të thyer monotoninë kalon në aventura që shpesh kanë edhe një fund jo pozitiv. Dhomat e thjeshta studentore janë përçuese të ideve të reja të cilat duan të sfidojnë mendimet me ngjyrime politike dhe nuk thonë asgjë. Pasioni dhe aventura bëhen nxitje për një ndërmarrje në fushën e medias.
Intervistoi: Robert Rakipllari

SHKARKO APP