Roli i Byrosë në rast aksidentesh, ja si do të bëhet dëmshpërblimi

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar edhe rregulloren për mënyrën se si do të funksionojë Byroja Shqiptare e Sigurimit pas miratimit të ligjit për formën e re të dëmshpërblimit në rast të aksidenteve.

AMF administron Fondin e Kompensimit që është përgjegjës për pagesën e dëmeve nga aksidentet automobilistike të cilat janë shkaktuar nga mjete të pasiguruara apo të paidentifikuara.

Pas datës 1 korrik i dëmtuari i përfshirë në ngjarje me probleme të tilla, ka të drejtë që kërkesën për kompensim ta bëjë te shoqëria e sigurimit ku ka prerë policën e tij të sigurimit dhe rasti i dëmshpërblimit do të trajtohet direkt nga ajo.

Bazuar në ndryshimet e reja vlera minimale e këtij fondi është përcaktuar në masën e 150 milionë lekëve.

Në draft sanksionohen gjithashtu edhe modalitetet e raportimit të Fondit të Kartonit Jeshil i cili mblidhet nga Byroja dhe përdoret në rastet e aksidenteve me policë ndërkombëtare sigurimi, të ndodhura brenda territorit të Shqipërisë.

Sipas ndryshimeve të reja ligjore Byroja ka detyrimin të raportojë në Autoritet listën analitike të dëmeve të paguara si dhe pasqyrën përmbledhëse të dëmeve të raportuara, atyre që janë paguar apo që kanë mbetur pezull.

Lidhur me miratimin e Fondit të Kompensimit në projekt rregullore thuhet se brenda datës 31 dhjetor të çdo viti, Byroja i propozon për miratim Autoritetit shumën e kontributeve të çdo shoqërie sigurimi dhe çdo burim tjetër të financimit.

Kjo projekt-rregullore do t’i nënshtrohet procedurës së konsultimit publik përpara se të miratohet nga Bordi i AMF-së.

SHKARKO APP