Roshi shpjegon pse u tërhoq nga dokumenti i opozitës parlamentare: Nuk ndryshon status quo-n
Artur Roshi, kryetari partisë Balli Kombëtar Demokrat, shpjegon për Ora News pse e tërhoqi firmën e tij nga dokumenti i opozitës parlamentare.
Ky dokument bën fjalë për amendimet kushtetuese për ndryshimin e sistemit zgjedhor, heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe vendosjen e pragut prej 5% në rang vendi.
Ndërkohë, Roshi shprehet se pse duhet të ndryshohet sistemi kur sërish ruhet status quo-ja.
Ai shton se ky sistem është i kapur nga dy parti, duke mos pasur një demokraci të mirëfilltë.
Artur Roshi: Opozita parlamentare ka marrë një nismë të sinqertë për të hapur lista, mirëpo, pas kësaj nisme, media të ndryshme, kërkojnë që të ndryshohet në Kushtetutë mospërfshirja koalicioneve dhe ulja e pragut në 5%. Kjo do të thotë se ndërron formula, por jo sistemi.
Ne sot kemi një sistem të kapur nga dy parti. Pse duhet ta ndryshojmë sistemin kur me këtë ndryshim ruajmë këtë status quo? Ajo që ne na nevojitet është një demokraci të mirëfilltë. Ne duhet të stimulojmë demokracinë dhe kjo vjen nga listat e hapura që sjellin një pluripartitizëm.
Roshi tha se partitë e mëdha jetojnë në kurriz të partive të vogla, prandaj sipas tij duhet një sistem proporcional kombëtar, me lista të hapura dhe vota e emigrantëve.
Artur Roshi: Ka zëra që thonë se parti të vogla që jetojnë në kurriz të partive të mëdha, pro në të vërtetë nuk është kështu. Kush i numëron votat? I numërojnë partitë e mëdha që do të thotë se ato jetojnë në kurrizin tonë. Këtë marrje të votave ato e bëjnë në mënyrë institucionale, përmes Kodit. Prandaj ne duam ta bëjmë proporcional kombëtar, me lista të hapura dhe votën e emigrantëve.
Vota e lirë institucionalizohet në dy plane, e para, përmes sistemit zgjedhor, që nuk duhet të ketë një përthyerje të madhe në raport me besimin e shqiptarëve, se një zonë nxjerr një numër të ndryshëm deputetësh për një numër të njëjtë votash. Vota e lirë ruhet përmes procedurës, pra, kodi Zgjedhor, identifikim biometrik, numërim dhe votim elektronik.