Rrëfehet polici bashkiak: Ja kush më goditi me bishtin e lopatës në gjoks

Dritan Hardhija është efektivi i Policisë Bashkiake, i cili në protestën e së dielës, mbeti i lënduar gjatë konfrontimit me protestuesit në Parkun e Liqenit. I ndodhur në ambientet e Spitalit të Traumës, që prej ditës së djeshme, 36 vjeçari tregon momentet e përplasjes.

“Kam parë një djalë me xhup të zi përpara meje me një bisht lopate të futur në mëngë të xhupit. Nuk arrita dot ta parandaloja, se mora një goditje në mes të gjoksit dhe që nga ai moment nuk mbaj mend asgjë”, thotë Dritani, aktivist dhe i dashuruar me biçikletën.

Hardhija shpjegon edhe pasionin e tij për biçikletat dhe ambientin.

“Nga të gjitha malet e Shqipërisë na ka mbetur vetëm Jezerca pa zbritur. Si mund të mos jem unë ambientalist kur në grupin tonë jemi 5 mijë anëtarë që kërkojmë ta kthejmë në edukatë dhe dashamirësi mjetin e biçikletës, duke eksploruar natyrën e mrekullueshme të vendit tonë”, shprehet ai.

I pyetur lidhur me protestën e disa të rinjve të Shoqërisë Civile, ai thekson se gjithkush ka të drejtë të protestojë, por brenda normave.

“Gjithkush në botë ka të drejtë të protestojë, por duke marrë parasysh për çfarë proteston, çfarë kërkon nga kjo protestë dhe se si proteston, në mënyrë paqësore”, thotë ai.

Sipas mjekëve të Spitalit të Traumës, Dritan Hardhija aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Por, po mbahet nën vëzhgim për të shmangur çdo komplikacion të mundshëm. / Top Channel

SHKARKO APP