Rrëfimi i fermerit: “Në Shqipëri buka me miell nga gruri i Serbisë”
Spiro Qoqi një fermer nga fshati Vilë Bashtovë i Kavajës, rrëfen për problematikën që ka zona e tij por dhe bujqësia në tërrësi. Ai shprehet se:”Po plakem me bujqësinë, arave. Gjithë ditën e Perëndisë. Unë kam mbjellë grurë, misër dhe fasule. Por, gjërat po ecin me vështirësi”, thotë fermeri Spiro Qoqi.
Ai rrëfen për gazetën “Shekulli”, se:”Me një shembull të thjeshtë, e zëmë se në Shqipëri prodhohet 3 kile grurë, atëherë shteti nuk duhet të fusë 5 kile nga jashtë, por dy. Për këtë mund të jap një fakt. Ne e shitëm grurin, mbi 200 kuintalë me 31 lekë, më tej ra çmimi me 30 lekë. Ndër të tjera nga fabrika e miellit na ka vonuar paratë. Në ditën që shkuam për t’i marrë paratë në fabrikë transportuam edhe grurë, ndërsa aty na thonë hiqe mallin se do bllokohesh brenda”.
Shqetësimi i tij është se gruri vjen nga Serbia. “Kilogrami i grurit i sjellë nga Serbia shkonte me 27 lekë . Pronari i fabrikës së mielli na thotë: Me grurin tuaj rashë brenda. Shihni me sa vjen gruri nga jashtë”. Po atë atje në Serbi shteti të ndihmon, me plehra me farëra dhe me karburant. Mua nuk më del kostoja. Unë me grurin, nëse nuk shes kashtën, dal me humbje. Edhe kush, gruri që është kulturë 9-mujore. Ne sot, hamë bukën dhe makaronat prej grurit të Serbisë dhe jo produktet tona”, thotë fermeri Spiro Qoqi.
Në zonën e Kavajës ka ende persona, të cilët kujtojnë dhe tregojnë sesi kultura e grurit ka qenë synimi kryesor i shtetit në atë kohë për të furnizuar vendin me bukë.
“Në kohën para ’90 unë kam qenë agronom në kooperativë. Atëherë mbillej përgjithësisht gruri, bimë industriale, lulja e diellit, soja dhe fasulja. Furnizohej e gjithë Shqipëria me këto produkte. Theksi dhe orientimi kryesor ishte te drithërat. Të furnizoheshim me bukë. Ne e çonim prodhimin e grurit në të gjithë Shqipërinë. Ia jepnim shtetit dhe më tej i transportonim në pikat e grumbullimit në qytete, të cilat bënin shpërndarjen sipas orientimit që bënte qeveria e asaj kohe. Mirëpo, pasi u prish sistemi njerëzit mbajtën traditën e drithërave deri diku. Për 3-4 vite ishte gruri kultura kryesore në vend. Më tej, sipas nevojave dhe kërkesave të tregut ndryshoi edhe orientimi dhe hapësirat e mbjella”.
KOHA JONË SONDAZH

