Rrëfimi i prostitutës 17-vjeçare në Tiranë: Klientët italianë paguan 200 €

“Klientët italianë kishin paguar 200 euro për të kaluar natën me mua”. Ky është rrëfimi i 17-vjeçares me inicialet Xh.M, e cila dy ditë më parë u kap në një lokal në zonën e Yrshekut gjatë një operacioni policor kundër trafiqeve të paligjshme.

Gjatë këtij operacioni, përveç të miturës, Policia e Tiranës ka vënë në pranga edhe 44-vjeçarin, Kujtim K., dy klientët italianë C.O, 36 vjeç dhe C.M, 28 vjeç, si edhe një vajzë tjetër që shfrytëzohej për prostitucion. Burime pranë policisë së kryeqytetit sqarojnë se 44-vjeçari dyshohej se punonte si taksist dhe gjatë kësaj kohe identifikonte edhe viktimat, të cilat më pas i transportonte drejt periferisë, aty ku edhe i shfrytëzonte për qëllime prostitucioni.

Nga të dhënat e sektorit të rendit, K. së fundmi kishte gjetur dy vajza, të cilat gjatë operacionit policor janë kapur në kushtet e flagrancës me dy klientë italianë, të cilët janë ndaluar nga forcat policore. Mësohet se dy të huajt kishin paguar më shumë se 200 euro për të qëndruar me vajzat, ndërkohë që klientët i gjente taksisti, i cili ndante më pas fitimin me vajzat që i shfrytëzonte.

Burime pranë policisë pohojnë se ky nuk është rasti i vetëm që K. është përfshirë në histori të tilla, pasi ai prej 10 muajsh dyshohet se bënte të njëjtën gjë, gjente vajzat të cilat shfrytëzoheshin kundrejt shumave 50-150 euro për të kryer marrëdhënie seksuale me klientët dhe më pas fitimin e ndanin në mes. Mësohet se dy vajzat në polici kanë dhënë versionin e tyre, duke shpjeguar edhe rolin e secilit prej të ndaluarve nga ana e uniformave blu. Burime pranë këtyre të fundit sqarojnë se në lokal natën e arrestimit është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale edhe një sasi lënde narkotike e dyshuar si kokainë.

SHKARKO APP