Rregullimi i urës nxjerr nga izolimi 2000 banorë të Xhyrë, ministri Vengu: Angazhim për infrastrukturën kritike
Rreth 2000 banorë të fshatit Xhyrë në Librazhd kanë dalë nga izolimi pas rregullimit të urës që lidhte zonën me të gjitha qendrat e shërbimit përreth. Ura ishte dëmtuar në nëntor të vitit 2025, duke pamundësuar lëvizjen e banorëve dhe mjeteve. Gjatë një inspektimi në terren, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu falënderoi punëtorët e Xhenios për angazhimin e tyre, si dhe banorët e zonës për durimin gjatë tre javëve të punimeve.
”Ajo që vlen të theksohet tani është që edhe ju, me të gjitha këto prurjet që kanë pasur lumenjtë, rrëshqitjet e dherave nëpër zonat rurale nëpër të gjitha bashkitë e vendit, edhe Reparti i Xhenios si pjesë e një përpjekje kombëtare dhe gjithë shtetërore, jemi të angazhuar në rehabilitimin e infrastrukturës kritike, transportit që ndërlidh fshatrat dhe zonat rurale. Aktualisht jemi të angazhuar në Selenicë të Vlorës, në Gjirokastër, Delvinë, Lac, Shkodër dhe Baldushk. Kemi dy ura për të bërë në Tiranë, një urë të rë që po tërheqim në bashkinë e Rrëshenit, do vazhdojmë me Elbasanin dhe me Librazhdin, sipas planit dhe prioritetit”,-tha Vengu.
Ministri nënvizoi se në vitin 2026 do të vijojë për të tretin vit radhazi Programi i Infrastrukturave Parandaluese, me një fond të konsiderueshëm në dispozicion të bashkive. ”Ministria e Mbrojtjes dhe Agjensia e Mbrojtjes Civile në buxhetin 2026 sapo ka çelur thirrjen për infrastrukturën parandaluese ku janë pjesë dhe urat, edhe ato me strukturë klasike betoni, në mënyrë që të vijojë programi kombëtar për pritat lumore, urat, digat dhe mjetet të cilat vijnë për mbështetje për zonat urale, rrugë të bardha, krijim aksesesh dhe përballim fatkeqësish”.
Gjatë vizitës në Librazhd, Vengu dhe Disha inspektuan edhe argjinaturën përgjatë lumit Shkumbin, një vepër parandaluese e realizuar në bashkëpunim mes Bashkisë së Librazhdit dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. “Praktikisht këtu është ndërtuar një shëtitore mbi një pritë lumore, e cila ka dhënë zgjidhje një problemi të hershëm të përmbytjeve nga dalja e Shkumbinit nga shtrati, ndërkohë që i ka shtuar qytetit një hapësirë të re rekreative”, u shpreh Vengu.
Kryebashkiaku Mariglen Disha u shpreh se zona është kthyer në një park të ri për qytetarët. “Me mbështetjen e qeverisë, këtë hapësirë e kemi emërtuar ‘Parku i Qershive’. Synimi ynë është që faza e dytë e projektit të shtrihet më tej, duke zgjeruar parkun dhe duke eliminuar përfundimisht rrezikun e përmbytjeve për këtë pjesë të qytetit”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

