Rrëmbehet 48-vjeçari që vodhi makinën nga ku u vra Lamaj

Një 48-vjeçar me precedentë penalë është rrëmbyer me dhunë, ditën e djeshme në qytetin e Krujës.

Enver Stafuka 48 vjeç, banues në fshatin Larushk, u rrëmbye dje nga tre persona, ende të paidentifikuar, të cilët morën forcërisht Stafukën në automjetin e tyre. Ka qenë vëllai i tij që ka denoncuar në polici rrëmbimin e tij, pasi i ka parë autorët por nuk ka njohur asnjërin prej tyre.

Enver Stafuka është një emër i dëgjuar, që lidhet me çështjen e vrasjes së Dritan Lamajt.  Ai është dënuar 4 herë për vepra të ndryshme penale. Stafuka u arrestua mbrëmjen e 27 majit të vitit 2013 në qytetin e Fushë-Krujës si bashkëpunëtor i dyshuar në vjedhjen e automjetit,  nga i cili u ekzekutua mbrëmjen e 25 shkurtit,  Dritan Lamaj.

 
 

Por Gjykata e shkallë së Parë në Durrës e ka liruar si të pafajshëm për këtë ngjarje Stafukën më 13 nëntor të vitit 2013. Policia e Krujës në bashkëpunim me atë të Durrësit nisën hetimet për identifikimin e 3 personave që futën forcërisht në mjetin e tyre 48-vjeçarin Stafuka dhe për zbardhjen e fatit të këtij të fundit.

SHKARKO APP