Rrëshqitja e dheut në Ibë, 30 familje braktisin shtëpitë

Policia vijon të mbajë të bllokuar prej 4 ditësh, aksin e vjetër kombëtar Tiranë – Elbasan për shkak të rrëshqitjes së tokës, ndërsa qarkullimi i automjeteve nga Tirana drejt Elbasanit dhe anasjelltas, mundësohet vetëm përmes rrugës që kalon nga Rrogozhina.

Sakaq, 30 familje që rrezikohen, janë evakuar me vendim të komunës, e cila ka ofruar edhe disa ambiente publike për strehimin e tyre.

Banorët ankohen se nuk iu është ofruar asnjë mbështetje nga shteti dhe as nga firma greke “Aktor”, që po ndërton autostradën, duke e akuzuar këtë të fundit si shkaktare të situatës së rëndë, duke kryer pa kriter dhjetëra shpërthime me eksploziv për hapjen e trasesë së re.

Ata pak banorë që mundëm të kontaktonin në orët e vona të së martës, teksa kishin nisur dhe shirat, ishin duke çmontuar objektet e fundit nga shtëpitë e tyre, tek të cilat, sipas të gjitha gjasave, nuk do të rikthehen më.

Nga ana e kompanisë greke “Aktor”, e cila po ndërton këtë segment të autostradës Tiranë – Elbasan vijon të mos ketë një reagim zyrtar për ngjarjen e ndodhur dhe për pretendimet e ngritura nga banorët e fshatit Ibë.

 

SHKARKO APP