Rreth 100 kamionë me ndihma hyjnë në zonë, ndërsa Izraeli nis një pauzë taktike
Në sfondin e një krize të afërt urie në Rripin e Gazës, dërgesa masive ndihmash humanitare arritën sot për herë të parë, pas shumë muajsh në këtë zonë të rrethuar dhe të goditur rëndë nga lufta.
”Një autokolonë me rreth 100 kamionë me ndihma për popullsinë e vuajtur hyri në Gaza përmes pikës kufitare Kerem Shalom”, sipas burimeve palestineze nga territori.
Pak orë më parë, ushtria izraelite njoftoi se do të zbatojë një “pauzë taktike në aktivitetet ushtarake për qëllime humanitare” nga ora 10:00 deri në 20:00 (07:00–17:00 GMT), çdo ditë dhe deri në një njoftim të dytë.
Kjo pauzë do të vlejë për zonën al-Mawasi në jugperëndim të Rripit të Gazës, për Deir al-Balah në qendër dhe për qytetin e Gazës në veri, zona ku ushtria izraelite thotë se nuk është aktive për momentin.
Izraeli e kishte shpallur më herët al-Mawasi si një “zonë humanitare”, por që nga ajo kohë, ushtria izraelite ka kryer disa sulme atje, me pasoja fatale për civilët. Deir al-Balah strehon magazinën qendrore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila, sipas OBSH-së, është dëmtuar gjatë ndërhyrjes së trupave tokësore izraelite.
Gjithashtu, do të hapen korridore humanitare nga ora 06:00 deri në 23:00 për të lejuar Kombet e Bashkuara dhe organizatat e ndihmës të shpërndajnë ushqime dhe ilaçe për popullsinë në Gaza, njoftoi ushtria izraelite.
Këto masa vijnë si reagim ndaj rritjes së kritikave ndërkombëtare për operacionet ushtarake të Izraelit në territorin palestinez. Që nga përfundimi i armëpushimit në mars, vetëm një sasi e kufizuar ndihmash ka arritur në zonë.
OBSH-ja paralajmëroi së fundmi për një krizë urie vdekjeprurëse mes rreth dy milionë banorëve të Gazës.
Izraeli mohon ekzistencën e një rreziku për uri, duke e përshkruar atë si një “fushatë” të grupit islamik Hamas.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

