Rriten çmimet, më pak turistë në Vlorë
Edhe pse flitet për boom me turistë, në 15-ditëshin e parë të korrikut vihet re rënie e numrit të turistëve në brigjet e Vlorës, nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vendasit tregojnë se gjatë ditëve të javës plazhet janë pak të frekuentuara, por popullohen në fundjavë.
Pushues nga qytete te ndryshme si Tirana e Prishtina, por dhe turistët e huaj shprehen se këtë vit çmimet janë rritur si në bare e restorante ashtu dhe në hotele.
“Çadrat kanë shkuar 10 euro në ditë, ndërsa dhomat nga 90 deri në 100 euro nata në Lungomare. Këtë vit është më shtrenjtë kudo nëpër plazhe”.
Kryebashiaku i Vlorës, Ermal Dredha u bëri thirrje operatorëve turistikë të mos abuzojnë me çmimet. “Duhet të jenë të kujdesshëm që të mos i rrisin çmimet se do t’u kthehet në bumerang. Bizneset që operojnë në qytetin tonë mund të jenë konkurrues në rajon vetëm nëse mbajnë çmime të kënaqshme”, tha Dredha.