Rriten divorcet në Elbasan, 641 çifte i dhanë fund martesës gjatë vitit 2025

Gjatë vitit 2025, në qarkun e Elbasanit, 641 çifte kanë vendosur t’i japin fund martesës së tyre, duke shënuar një tjetër rritje të numrit të divorceve krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 591 raste. Të dhënat tregojnë se fenomeni po bëhet gjithnjë e më i pranishëm, ndërsa numri i ndarjeve rritet nga viti në vit.

Sipas specialistëve, arsyet që çojnë drejt divorcit kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Nëse dikur konfliktet tradicionale ishin shkaku kryesor, sot ndikim të madh kanë ritmi i shpejtë i jetës, vështirësitë ekonomike, stresi i përditshëm dhe mungesa e komunikimit mes partnerëve. Ngarkesa e madhe emocionale dhe mungesa e kohës për njëri-tjetrin po krijojnë distancë në shumë marrëdhënie familjare.

Psikologët theksojnë se një nga problemet më të mëdha është mungesa e dialogut, pasi çiftet shpesh nuk arrijnë të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes komunikimit dhe përfundojnë në ndarje. Sipas tyre, lodhja psikologjike dhe presioni i përditshëm ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e martesës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Procesi i divorcit nuk është i lehtë për asnjërën palë, por pasojat më të mëdha shpesh bien mbi fëmijët. Në shumë raste, ata kanë nevojë për ndihmë të specializuar psikologjike për të përballuar ndarjen e prindërve dhe ndryshimet që sjell ajo në jetën e tyre.

Swiss Digital Mobile Reklama

Përveç dramës emocionale që shoqëron fundin e një martese, çiftet përballen edhe me procedura të gjata gjyqësore. Zvarritja e proceseve në gjykatë shton ankthin, pasigurinë dhe tensionin mes palëve.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2025, në Gjykatën e Elbasanit janë mbartur 491 çështje me objekt zgjidhje martese, ndërsa në vitin 2024 numri i çështjeve të mbartura ishte 676. Kjo tregon ngarkesën e lartë të sistemit gjyqësor dhe vazhdimësinë e këtij fenomeni shqetësues në shoqëri.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?