Rriten me rreth 7% çmimet e produkteve të shportës gjatë muajit shkurt! Inflacioni arrin në shifra rekord
Gjatë muajit shkurt janë rritur çmimet e ushqimeve në vend me mbi 7%, ndërkohë që inflacioni ka arritur në shifra rekord. Ai arriti në nivelin 3.9%, duke shënuar një rekord të ri për më shumë se një dekadë.
Sipas raportit të fundit të INSTAT, brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 16,4 %, pasuar, nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 10,1 %, “fruta” me 7,0 %, “bukë dhe drithëra” me 6,8 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 6,7 %, “mish” me 3,9 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,3 % etj.
Rritja e inflacionit është gjithnjë e më e përqendruar te produktet ushqimore, energjetike dhe shërbimet e transportit, duke pasqyruar shtrenjtimin e ndjeshëm të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare. 86% e inflacionit agregat për muajin shkurt erdhi nga tre grupet e mësipërme.
Kjo rritje e inflacioni në grupin e produkteve ushqimore bazë krijon një problematikë shumë të madhe për shtresat më të varfra të shoqërisë. Shtrenjtimi me ritme të shpejta i energjisë dhe i karburanteve po ushtron presione gjithnjë e më të larta të kostove të prodhimit për bizneset, duke u reflektuar tek çmimet finale dhe duke gjeneruar presione inflacioniste shtesë. Dhe këtu nuk përfshihet ende ndikimi që mund të ketë lufta që ka nisur prej 2 javësh. Kjo pasi me shpërthimin e luftës në Ukrainë, leku po pëson një nënçmim të shpejtë kundrejt euros. Zhvlerësimi i monedhës pritet të japë një efekt edhe më të madh në përvcjelljen e inflacionit të importuar në ekonomi. Kursi i kembimit arrin në vlerën rekord qe prej pandemise ne 127.08 leke nje euro.
Inflacioni i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” në shkurt arriti në 6.9%, duke vijuar tendencën e rritjes së shpejtë që po regjistron në muajt e fundit. Një vit më parë, inflacioni i ushqimeve ishte vetëm 3.2%, çka tregon qartë ritmet e larta të shtrenjtimit të këtyre produkteve. Sipas Instat, produktet që janë shtrenjtuar më shumë krahasuar me një vit më parë janë ato të nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet”, me 16.4%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 10.1%, “fruta” me 7%, “bukë dhe drithra” me 6.8%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 6.7%, “mish” me 3.9%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.3%.
Inflacioni i grupit “transporti” për shkurtin arriti në 10.4%, nga 9% që kishte qenë në janar. Kjo reflekton efektin e rritjes së shpejtë të çmimit të karburanteve gjatë muajve të fundit. Vetëm nëj vit më parë, inflacioni i grupit “transporti” ishte negative, në masën -3.9%, çka dëshmon qartë përmbysjen e madhe të tendencës së çmimeve të karburanteve dhe rreziqe gjithnjë e më të mëdha që ky shtrenjtim po sjell për të prodhuar një spirale inflacioniste në ekonomi.
Inflacioni i grupit “qira, ujë, lëndë djegëse, energji” për shkurtin rezultoi 1.8%, nga 1.9% që kishte qenë në janar. Megjithatë, krahasuar edhe në këtë grup rritja e inflacionit është e dukshme krahasuar me një vit më parë, kur ndryshimi i indeksit vjetor të çmimeve të konsumit ishte 0. Në një mas ëtë madhe, efekti i shtrenjtimit të energjisë elektrike në tregje është amortizuar nga vendimi për të mos e përcjellë këtë shtrenjtim tek konsumatorët familjarë dhe te bizneset e vegjël. Por, për bizneset më të mëdha, energjia elektrike është shtrenjtuar shumë gjatë muajve të fundit. Ndaj, megjithëse nuk po paguajnë më shumë tek faturat e energjisë elektrike, konsumatorët do ta paguajnë një pjesë të çmimit të energjisë së shtrenjtuar në faturat e blerjes së artikujve dhe shërbimeve të konsumit.
Megjithëse në terma mesatarë inflacioni ngelet më i ulët krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara, si ato të Eurozonës apo të SHBA, pritshmëritë janë për një rritje të mëtejshme, duke parë tendencën në rritje të indeksit të çmimeve të prodhimit, të atyre të importit apo të indeksit të presioneve të huaja inflacioniste, që llogaritet nga Banka e Shqipërisë.