Rritja e kriminalitetit në vend, sociologu Tushi: Është bërë si buka që hamë
Kriminaliteti në Shqipëri duket se është në trend rritës, sidomos pas daljes nga regjimi i izolimit për shkak të pandemisë.
Shumë persona besojnë se izolimi është dhe një prej shkaqeve që ka sjell një zgjerim të krimit, por për sociologun Gëzim Tushi, ky fenomen i ka rrënjët shumë kohë më parë.
Ai nuk e mohon faktin se izolimi ka shkaktuar një tension social, por nuk është faktor kryesor i rritjes së krimit.
Në një intervistë për Ora News, Tushi thotë se ky fenomen ka të bëjë me mënyrën se si qytetarët konceptojnë lirinë e tyre.
Tushi: Kjo situatë e shtimit të krimit pas daljes nga izolimi mendoj se nuk ka shumë të bëjë me faktin që ne qëndruam përreth 60 ditë të izoluar. Mund të jetë argument për shtimin e tensioneve sociale. Unë besoj që zgjerimi i krimit lidhet me keqpërdorimin e konceptit të lirisë. Shoqëria shqiptare doli nga një regjim ku diktatura i thyente dhëmbët krimit. Kjo ka bërë që shumë persona ta kuptojnë lirinë si shthurje. Zgjerimi i krimit ka kapur të gjithë shoqërinë sa që gati duket sikur po jetojmë në shoqëri të bishave apo në një psikiatri. Krimi është bërë si buka e përditshme. Protesta e djeshme mu duk një akt shumë i madh kundër abuzimit seksual, protesta e vërtetë kundër një akti të tillë barbar në 30 vite.
Gjatë ditëve të fundit, me publikimin e rastit të abuzimit seksual të 15 vjeçares në Babrru, në Kuvend është përfolur dhe për rikthimin e dënimit me vdekje.
Sociologu Tushi thotë se ky dënim është radikal dhe nuk zgjidh në vetvete fenomenin. Tushi i qëndron besimit se nuk duhet marrë me kriminelët në veçanti, por me rrethanat që sjellin krimin.
Tushi: Në terrenin ballkanik ku jetojmë ne dhe ku krimi ka një tipologji të veçantë nga dimensioni europian. Po të bëjmë sot një sondazh në Shqipëri, jam i bindur se shumica do të jenë të prirur drejt qëndrimit konservator ku do thonë që e vetmja mënyrë për të ndaluar krimin është dënimi me vdekje. Në shoqërinë e sotme janë dy optika, konservatore ku duhet ndëshkuar radikalisht krimineli për aktin që ka kryer. Është dhe pikëpamja liberale sipas të cilës në vend të merremi me kriminelin në veçanti, duhet të merren me rrethanat që prodhojnë këto krime. Unë jam partizan i pikëpamjes liberale që shoqëria shqiptare të merret me problematikat që prodhojnë këto krime. Të merresh me kriminelin në veçanti nuk e zgjidh problemin. Politika, policia, sistemi arsimor, familja duhet të merret me rrethanat që i prodhojnë krimet. Edukimi është i dobët.