Rritja e lartë e çmimeve të frutave dhe perimeve, Xhixho: Të merren masa, fermerët dhe qytetarët të mbrohen nga abuzimet

Zv.presidentja e PL-së, deputetja Erisa Xhixho thotë se çmimet e frutave dhe perimeve janë rritur në mënyrë alarmante. Në një deklaratë për mediat nga selia, ajo u shpreh se frutat dhe perimet janë kthyer në “mollën e ndaluar” për qytetarët, që sipas saj, nuk mund ta prekin as kur kanë stinën e tyre. ”Shqiptarët vijojnë të mbeten të fundit në Europë për të ardhurat për frymë me 35% të mesatares europiane”, tha ajo.

Deklarata e plotë

Jam sot para jush për të përcjellë shqetësimin e qindra qytetarëve të Tiranës, por edhe të qytetve të tjera të Shqipërisë, për rritjen alarmante të çmimeve të frutave dhe perimeve. Në pamundësi për të vënë në tryezë produktet e stinës, qytetarët dhe në veçanti pensionistët, kanë denoncuar prej javësh në media çmimin abuziv të tyre. Për shumë prej tyre, frutat dhe perimet janë kthyer në “mollën e ndaluar” që nuk mund ta prekin as kur kanë stinën e tyre. Nga fermeri e deri te konsumatori, çmimi dyfishohet, pasi qeveria e inceneratorëve mbyll sytë para abuzimit hapur me çmimet e produkteve bujqësore. Ky abuzim thellon akoma më tej krizën e çmimeve që nisi në fillim të vitit 2022, të cilën qeveria refuzoi ta zbuste sadopak duke hedhur poshtë kërkesët tona për heqjen e TVSH-së së produkteve të shportës.

Në krahasim me Italinë fqinje, për të njëjtat produkte paguajmë 70-80% më shtrenjtë, ndërkohë që pagat në Shqipëri janë shumë më të ulëta se në Itali. Tani, Autoriteti i Konkurrencës u zgjua nga gjumi dhe arriti të shohë një të vërtetë që e kemi parë të gjithë me sytë tanë përditë: Nga prodhuesi deri tek konsumatori fundor, çmimi i frutave dhe i perimeve është shtrenjtuar deri në 100%. E paguajnë fermerët e penalizuar me heqjen e fondeve IPARD, për shkak të korrupsionit qeveritar.

E paguajnë qytetarët e varfër të vendit, që nuk mbyllin dot muajin. Ato që përfitojnë janë monopolet e ngritura me bekimin e qeverisë! Sepse i tillë është sistemi që ka ngritur kjo qeveri: paguan më i varfri që të përfitojë vetë qeveria dhe oligarkët e saj. Bllokimi i fondeve IPARD dhe detyrimi për të kthyer mbrapsht disa miliona euro të fondeve të mëparshme është prova më e qartë se kush vjedh dhe kush e paguan dëmin. Rritja e çmimeve po arkëton më shumë para në buxhetin e shtetit se një vit më parë. Në katër muajt e parë të vitit u mblodhën 231.6 miliardë lekë, plot 24.1 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar.

Në vend që të shkojnë për shtresat në nevojë, arsim cilësor apo shërbim shëndetësor, ato do të përfundojnë në xhepat e klientëve të qeverisë dhe ministrave të saj të korruptuar. Shqipëria dhe shqiptarët janë futur në një spirale korrupsioni dhe abuzimi, që vetëm thellohet. 60% e buxhetit të tyre familjar shkon për ushqimin. Jemi të fundit në rajon për fuqinë blerëse.

Në Shqipërinë e 10 milionë turistëve të kryeministrit, shqiptarët e varfër nuk përballojnë dot as një javë pushime në vit. Ndaj plazhet e Jugut janë sivjet më bosh se asnjëherë tjetër. Shqiptarët vijojnë të mbeten të fundit në Europë për të ardhurat për frymë me 35% të mesatares europiane. Rritja ekonomike nuk ka prodhuar mirëqenie, sepse ekonomia e vendit është vënë në funksion të një pakice, e cila me bekimin e qeverisë shmang taksat e ndan me të paratë e taksapaguesve të varfër.

Është emergjente të merren masa për të mbrojtur nga abuzimi i dyfishtë fermerët dhe qytetarët, të cilët kanë paguar deri tani kostot e rënda të korrupsionit qeveritar dhe krizave të çmimeve. Vendosja e ekuilibrave në treg është domosdoshmëri për të shmangur falimentimin e fermerëve dhe zhytjen e qytetarëve në varfëri akoma më thellë. Faleminderit.

SHKARKO APP