Rritja e pagës minimale në 40 mijë, Binaj: Nuk do ndalojë largimin e brezit të ri

Dje gjatë një takimi me studentët, kryeministri Edi Rama tha se paga miniale do të shkojë 40 mijë. Ilir Binaj, ekspert kontabël, thotë se rritjet e shpeshta që janë bërë për pagën minimale nuk është ajo që reflekton tregu. Për të rritja e pagës 40 mijë lekë mund të jetë më e mirë për punëmarrësit, por duhet konsideruar dhe informaliteti i lartë.

”Duhet parë në dy aspekte, në aspektin politik, qeveria ka zgjedhur që është diçka që mund të bëhet për zgjedhje dhe për të tërhequr vëmendje po nga ana tjetër ka dhe një aspekt ekonomik, a kemi një rritje reale? E kërkon vërtet tregu?

Këto rritje kaq të shpeshta nuk janë ajo që reflekton tregu. Mund ta besoj që 40 mijë lekëshi mund të jetë afër për Tiranën, por për zonat e tjera është shumë larg. Mund të jetë mirë për punëmarrësit, por duhet konsideruar dhe informaliteti i lartë. Për sektorin shtetëror kjo është diçka e mirë sepse do marrin më shumë lekë.

Ekonomia nuk gjeneron mjaftueshëm vlerë për të rritur pagat. Rritja e pagës, nuk do të ndikojë ndonjë gjë të madhe dhe nuk do ndalojë largimin e brezit të ri. Duhet të bësh plane si mund ta rregullosh këtë situatë pas 5 vitesh, në çfarë sektorësh duhet të orientohemi. Nëse do vazhdohesh kështu, të rrisësh pagën minimale, kjo punë do vazhdojë. Duhen bërë plane të qarta se çfarë duhet bërë”,-tha në ”MCN TV”.

SHKARKO APP