“Rritje e pabesueshme” e çmimeve në Gjermani

Çmimet e prodhimit janë rritur me shpejtësi rekorde. Çfarë do të thotë kjo për çmimet e konsumit?

Papritur në gusht u rritën shumë çmimet e prodhimeve, për shkak të kostove jashtëzakonisht të larta të naftës, gazit dhe energjisë elektrike. Çmimet e prodhimit u rritën mesatarisht me 45,8 përqind, raportoi të martën Zyra Federale e Statistikave. Kjo ishte “rritja më e lartë në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, që kur bëhen këto lloj sondazhe në vitin 1949”.

Kjo ka tejkaluar shumë vlerën rekorde të mëparshme prej 37,2 përqind, nga korriku i këtij viti. Kjo shihet si befasi, sepse ekonomistët kishin pritur një rënie në 37,1 përqind. Çmimet e prodhimit u rritën me 7,9 përqind nga korriku në gusht. “Kjo është gjithashtu rritja më e lartë në krahasim me një muaj më parë, që nga fillimi i matjeve”, thuhet në raport.

Inflacioni mund të rritet edhe më shumë

Ekonomistët u befasuan nga rritja e inflacionit në nivel të prodhimeve. “Një rritje e pabesueshme e çmimeve”, komentoi ekonomisti i LBBW Jens-Oliver Niklasch këto zhvillime. Kompanitë do të mund të kalojnë vetëm një pjesë të rritjes së çmimeve tek konsumatorët. Por edhe kjo do të influencojë rritjen e inflacionit. E gjithë kjo nuk është e mirë për inflacionin, sepse inflacioni duket se do të mbetet”.

Çmimet e prodhimit konsiderohen si pararendëse për rritjen e inflacionit të përgjithshëm. Në statistika, çmimet llogariten që nga dera e fabrikës – edhe para se produktet të përpunohen ose shiten më tej. Në gusht, çmimet e konsumit ishin 7,9 përqind më të larta se një vit më parë. Bundesbank pret një rritje të mëtejshme në shtator me skadimin e biletës 9 euro në muaj dhe me heqjen e subvencionimeve të karburanteve. Norma e inflacionit ka të ngjarë të “rritet me një nivel dyshifror në muajt e ardhshëm”.

Çmimi i gazit dhe energjisë problemi më i madh

Arsyeja kryesore për rritjen e inflacionit në nivel prodhues është energjia, e cila ka kushtuar dukshëm më shumë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt. Çmimet e prodhimit ishin 139 përqind më të larta se në gusht 2021. Gazi natyror kushtonte më shumë se trefish më shumë se një vit më parë (+209,4 përqind), e energjia elektrike ishte edhe më e shtrenjtë me 278,3 përqind. 37 përqind më të larta kanë qenë çmimet e derivateve të naftës. Nafta për ngrohje ishte në gusht dy herë më e shtrenjtë se një vit më parë (+104,0 përqind), ndërsa karburantet e motorëve ishin 27,3 përqind më të shtrenjta.

Çmimet e larta të energjisë po ndikojnë edhe në mallrat e ndërmjetme (plus 17,5 përqind) si metalet dhe kimikatet bazë. Nga rritje të ndjeshme të çmimeve (10,9 përqind dhe 16,9 përqind) ndikohen edhe mallrat e qëndrueshme dhe ato të konsumit. Për shembull, ushqimi ishte 22,3 përqind më i shtrenjtë në gusht se një vit më parë. Çmimet e prodhimit ndikojnë natyrisht edhe në çmimet e konsumit.

Çmimet e sotme të prodhimit dërgojnë një mesazh të paqartë, thotë Ralph Solveen i Commerzbank. “Rënia e çmimeve të mallrave të ndërmjetëm inkurajon se rritja e çmimeve të konsumit do të arrijë kulmin në muajt e ardhshëm. Megjithatë, rritja e e pandalshme e çmimeve të energjisë tregon se këtu ka një potencial të konsiderueshëm për pasiguri. Ndaj mund të ndodhë që në muajt e ardhshëm të kemi edhe rritje të reja rekorde të inflacionit dhe çmimeve të konsumit.”/DW/

SHKARKO APP