Rritje pagash për mjekët? Angjeli: E mundur apo jo, do të heqim diçka për “heronjtë”

Vitit 2022 shihet si “drita në fund të tunelit” për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare me shpresën se pandemisë së Covid-19 do ti vijë fundi pas gjetjes së vaksinës.

Deputeti i PS-së, Anastas Angjeli, thotë se buxheti i vitit të ardhshëm duhet të fokusohet si buxhet antikrizë.

Angjeli: Buxheti i vitit të ardhshëm nuk mund të jetë një buxhet i hapjes së projekteve të mëdha, i hapjes së projekteve të reja. Do të jetë një buxhet që duhet të fokusohet si buxhet antikrizë për të përballuar së paku pesë drejtime kryesore. Së pari për të përballuar pandeminë Covid 19 nga pikëpamja e mbështetjes me investime, medikamente dhe pajisje për Ministrinë e Shëndetësisë që të jemi sa të kompletuar në përballjen me këtë krizë, të mbështesim dhe të ndihmojmë me fond page në rritje punonjësit e sektorit të shëndetësisë të të gjithë kategorive.

I pyetur nëse është e mundur që të gjenden paratë për rritjen e pagave të bluzave të bardha në këtë moment, ai shprehet:

Angjeli: Është e mundur, nuk është e mundur, do të heqim diçka tjetër për të bërë këtë gjë se ata janë ‘heronjtë’ e ditëve të sotme.

Në vijim të argumentit të tij, deputeti socialist parashtron edhe sektorët e tjerë prioritarë.

Angjeli: Së dyti duhet të fokusohemi te pasojat e tërmetit që njerëzit që jetojnë në çadra deri në fund të vitit patjetër një pjesë e mirë e tyre duhet të sistemohen. Së treti, ekipi i arsimtarëve në gjithë Shqiërinë të mbështeten financiarisht. Së katërti të vazhdojë mbështetja e biznesit të vogël dhe të mesëm edhe me ulje taksash. Nuk ka snjë vend në BE që mendon në këtë periudhë për rritje taksash. Së pesti duhet krijuar një fond solidariteti me mbështetje për ata që kanë humbur vendet e punës ose mund të humbin.

Eksperti i ekonomisë foli edhe për marrëveshjet e fundit të nënshkruara mes Shqipërisë dhe Kosovës për doganat dhe hekurudhën.

Angjeli: Kjo do të thotë se nuk do kesh dy herë të zhvilluar procesin doganor. Fiton në kohë, lehtësi të veprimeve. Nga pikëpamja e qarkullimit të mallrave vënia në dispozicion të portit të Durrësit zgjeron veprimtarinë transportuese të mallrave dhe të produkteve jo vetëm në vendin tonë por edhe në Kosovë. Është një favor që bëhet. Nuk është njësoj të transportosh nga pikëpamja sasiore dhe kohore një mall me 100 kamionë apo një mall apo disa mallra me një anije. Marrëveshja tjetër për hekurudhat është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Uashington. Angazhimi në këtë marrëveshje i dy shteteve tona tregon vullnetin e plotë për të zhvilluar në të njëjtën kohë edhe një transport efikas hekurudhor mes dy vendeve tona që sjell përfitime. Transporti hekurudhor do të krijojë lehtësi në qarkullimin e mallrave me kosto sa më të ulët. Tregon për një angazhim bashkëpunimi për të ashtuquajturin shengeni ballkanik.

SHKARKO APP