Rrjeti i Grave: Gratë po diskriminohen në punësim, 80% janë ekonomikisht joaktive
Gratë janë një nga kategoritë kryesore që bëjnë pjesë në popullsinë ekonomikisht joaktive e që janë të gatshme për punë. Bazuar në disa të dhëna në Kosovë llogaritet se 80% e grave janë ekonomikisht joaktive.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile i kanë thënë Ekonomia Online, se diskriminimi në bazë gjinore është njëri nga faktorët kryesor që ka ndikuar që ky numër i grave të jenë ekonomikisht joaktive.
Adelina Tërshani, koordinatore e projekteve në Rrjetin e Grave të Kosovës, tha se diskriminimi ndaj grave është shumë i shprehur qysh në intervistat për punë. Sipas saj, edhe shkelja e së drejtës për pushim të lehonisë është njëra prej diskriminimeve më të shpeshta që gratë e hasin në tregun e punës. Ajo numëron edhe një varg faktorësh të tjerë si ngacmimi seksual në vendin e punës, paga e pabarabartë për punë të barabartë me punëtorët burra, por edhe kushtet jo të mira dhe jo adekuate në vendin e punës.
“Hulumtimet e Rrjetit të Grave tregojnë që ka faktorë të shumtë që i lejnë gratë jashtë tregut të punës dhe ose i de motivojnë ato për me kërkua një vend punë në tregun e punës në Kosovë. Diskriminimi në baza gjinore është njëri prej faktorëve të shprehur të cilin e hasin gratë në tregun e punës, në intervista pune dhe kjo e bënë që ato të mbesin jashtë tregut të punës. Shkelja e së drejtës për pushim të lehonisë është njëra prej diskriminimeve më të shpeshta që gratë e hasin në tregun e punës. Pastaj është ngacmimi seksual në vendin e punës, paga e pabarabartë për punë të barabartë me punëtorët burra, edhe kushtet jo të mira dhe jo adekuate në vendin e punës dhe shumë faktorë të tjerë”.