Rrjoll, banorët kundër policisë: “Tokën nuk e lëshojmë”

Situata e tensionuar në zonën e Rrjollit, në Lezhë, është rikthyer sërish, pasi banorët e zonës kanë ndërprerë punimet që po zhvillohen për ndërtimin e një resorti turistik. Të vendosur për të mos lejuar vijimin e punimeve, banorët kanë ndërhyrë drejtpërdrejt në kantier, duke detyruar punonjësit të zbresin nga mjetet e rënda dhe të ndërpresin aktivitetin.

Ndërhyrja e tyre ka sjellë përplasje me forcat e policisë, të cilat ndodheshin në zonë për të garantuar mbarëvajtjen e punimeve. Pavarësisht pranisë së uniformave blu, banorët kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen dhe se do të vazhdojnë të bllokojnë kantierin çdo ditë, deri në zgjidhjen e çështjes së pronësisë mbi tokën.

Sipas tyre, toka ku po kryhen punimet është në pronësi të ligjshme të banorëve dhe kjo, siç shprehen ata, vërtetohet përmes dokumentacionit zyrtar. Me tone të forta, qytetarët kanë theksuar se nuk do të heqin dorë nga prona e tyre në asnjë rrethanë, duke e konsideruar këtë betejë si të drejtë dhe të mbështetur edhe moralisht.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një nga banorët, i cili foli për mediat, u shpreh se protesta ka hyrë në ditën e pestë dhe se presioni i vazhdueshëm i komunitetit ka sjellë ndalimin e përkohshëm të punimeve. Ai deklaroi se kompania ndërtuese ka dhënë fjalën se nuk do të vijojë punën për momentin, ndërsa u bëri thirrje edhe banorëve të tjerë të zonës që të bashkohen në mbrojtje të tokës së tyre.

Swiss Digital Mobile Reklama

Prej disa orësh, punonjësit e kantierit kanë qëndruar jashtë makinerive të rënda, ndërsa situata në zonë mbetet e tensionuar dhe nën vëzhgimin e autoriteteve. Banorët kërkojnë zgjidhje ligjore dhe ndalimin përfundimtar të punimeve deri në sqarimin e plotë të pronësisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?