
Pavarësisht krizës ekonomike të ndikuar nga pandemia, remitancat në vendin tonë jo vetëm që nuk janë tkurrur por kanë pësuar një rritje.
Në tremujorin e katërt të vitit që lamë pas mësohet se emigrantët kanë sjellë rreth 203 milionë euro, një shifër kjo rreth 10% më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shifrat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se ky është niveli më i lartë që nga viti 2008.
Trendi i rritjes së remitancave është shënuar prej muajit korrik, duke vijuar dhe më tej.
Edhe pse të gjitha vendet u përballën me një krizë financiare në harkun kohor të 12 muajve, të ardhurat nga emigrantët arritën në nivelin e 673 milion eurove.
Megjithatë krahasuar me një vit më parë raportohen me një rënie prej 29 milion eurosh, kjo e ndikuar kryesisht nga tkurrja përgjatë muajve prill-qershor ku ekonomia ishte e mbyllur për shkak të ndalim-qarkullimit.
Remitancat vlerësohen si burimi kryesor i përballimit të shpenzimeve të konsumit dhe investimeve për shumë familje shqiptare.
Rritja e këtyre prurjeve gjatë vitit që lamë pas lidhet me nevojën e shtuar për mbështetje në kushtet e pandemisë, e ndikuar dhe nga humbja e vendeve të punës.
Të ardhurat nga emigrantët përbëjnë rreth 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë.
