Rruga dytësore Tiranë-Durrës e degraduar, banorët: Kalojmë çdo ditë, na janë dëmtuar makinat
Në një kohë që në disa rrugë të qytetit ka nisur shtrimi i asfaltit elektoral, shumë segmente janë lënë në gjendje të degraduar, pavarësisht premtimeve për t’i rregulluar askush nuk ka vënë dorë mbi to.
Kjo nuk është një rrugë fshati, por aksi dytësor i autostradës Tiranë-Durrës.
Segmenti prej 2 km duke filluar nga rrethrrotullimi i Kamzës, ka pësuar dëmtime ku asfalti i ka lënë vend gropave të shumta.
Infrastruktura që mungon dhe qarkullimi i lartë i automjeteve për shkak se është zonë industriale, e bën këtë aks një makth për drejtuesit e mjeteve.
“Kjo rrugë nuk shikohet me sy dhe gjithë ato lekë që harxhohen aty s’kanë mundësi të bëjnë një copë rrugë? Kuptoje vetë ti, nga gjithë këto gropa shkatërrohet makina,” thotë një shofer.
“Sa herë kaloj kështu e shikoj, dita-ditës vetëm shtohen gropat,” thotë një tjetër.
“Nga tre herë në ditë, katër herë, jemi gati t’i paguajmë ne ato lekët nëse nuk ka shteti. Taksat i kërkojnë, çdo gjë kërkojnë edhe nuk i hedhin të paktën një rruge asfalt,” thotë një banor tjetër.
Banorët thonë se kjo situatë vijon prej më shumë se 6 muajsh dhe të vetmit që janë interesuar për të janë mediet.
“Nga autoritetet kërkojmë të na i mundësojnë të paktën këtë rrugë, mirë gjithë kë to taksa që paguajmë, po të paktën të kemi rrugë,” shprehet qytetari.
“I bëj thirrje tani për votime hajde shtrojeni, se pas votimeve nuk shtrohet kjo rrugë më,” thotë banori.
Duket se gjatë kësaj periudhe fushate, autoritetet janë interesuar për të mbushur gropat e rrugëve të Tiranës me asfalt elektoral, duke lënë në harresë segmentet më thelbësore. /Ora News