Rruga e Borshit ndahet përgjysmë pas reshjeve, ARRSH paralajmëron drejtuesit e mjeteve
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka paralajmëruar drejtuesit e automjeteve që të shmangin aksin Qafë Llogara-Sarandë në lagjen Vonja të Borshit i cili si pasojë e reshjeve të dendura të shiut është ndarë përgjysmë.
ARRSH njofton se kompanitë e mirëmbajtjes janë në vend për të vlerësuar situatën duke bërë menaxhimin e trafikut vetëm me një kalim.
“Në aksin Q. Llogarasë-Sarandë, në lagjen Vonja të Borshit, si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të ditëve të fundit, ka ndodhur një rrëshqitje, e cila ka dëmtuar trupin e rrugës.
Kompanitë e mirëmbajtjes dhe specialistët e ARRSH-së janë në vend për të vlerësuar situatën duke bërë në të njëjtën kohë edhe menaxhimin e trafikut vetëm në një kalim. Lajmërohen të gjithë drejtuesit e automjeteve që të evitojnë kalimin në këtë aks, si dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve të rënda në këtë aks”, thuhet në njoftim.
Aksi rrugor që u dëmtua nga reshjet e shiut kishte më pak se një vit që ishte rikonstruktuar.