Rruga e re Thumanë-Kashar pothuajse gati! Hapet për pak ditë

Në aksin Thumanë-Kashar, pjesë integrale e korridorit Blu, i pari i kategorisë A të Bashkimit Europian, punimet janë drejt finalizimit, duke shënuar deri më tani 95 % të realizimit të tyre, ndërkohë që puna për ndërtimin e urave, mbikalimeve e nënkalimeve, ka përfunduar plotësisht.

Autostrada e re shtrihet në zonat urbane dhe gjysëm urbane të Thumanës, Fushë-Krujës, Rinasit dhe Vorës.

Aksi përmbush të gjitha parametrat e sigurisë rrugore, me mbikalime, 11 ura, 12 nënkalime e kryqëzime, por edhe rrugë aksesi për qytetarët.

Kryeministri Edi Rama teksa inspektonte punimet u shpreh se aksi do të hapet në 30 qershor.

“Pjesa më sfiduese që kemi tani është lidhja e nyjes së Kasharit, që është pjesa e fundit që jemi në fazë konstruksioni, ndërkohë që gjurma prej më shumë se 21 km ka përfunduar gjithë pjesën e stabilizantit.Sonte ne u futëm nga hyrja e Rinasit, pra mbikalimi nga Rinasi dhe këtu jemi në zonën e Laknasit në paralel dhe nga ana tjetër kemi Bërxullin”, tha Rama.

“Me hapjen e këtij segmenti rrugor realizohet dhe kthimi në Rinas dhe pastaj kemi hyrjen e Kasharit që shpërndan autostradën Tiranë-Durrës, duke pritur që këto ditë të jemi në përfundim të negociatës përsa i përket gjurmës tjetër, pra nga Kashari deri në Lekaj, duke e lidhur pastaj me gjithë gjurmën e re.

Gjurma Kashar- Lekaj është tërësisht e re”, tha Balluku.

SHKARKO APP