Rruga Tiranë-Elbasan mbetet e bllokuar, situata rrezikon të përkeqësohet nga reshjet

Asnjë zgjidhje deri tani nuk i është dhënë zhbllokimit të rrugës kryesore Tiranë-Elbasan, pas shembjes së dheut në Ibë, duke lënë në ankth me mijëra banorë, nga zonat e juglindjes deri në Elbasan, të cilët udhëtojnë për në Tiranë, e anasjelltas. Shumë prej tyre, që kishin planifikuar të udhëtonin në dy ditët e fundit, për shkak të bllokimit të segmentit rrugor Tiranë-Elbasan, e kanë shtyrë atë, në pritje të zhbllokimit të rrugës. Por ky segment do të mbahet i bllokuar ende, deri në një afat të pacaktuar. Shembja e një masivi të madh dheu, që rrezikon edhe shembjen e rreth 30 shtëpive, nuk jep garanci për qarkullimin normal të automjeteve, madje shirat që priten të bien në orët në vazhdim, mund ta përkeqësojnë edhe më tej situatën aktuale, në Ibë të Tiranës. Tri ditë nga rënia masive e dheut nuk është bërë asnjë ndërhyrje, apo të jetë marrë ndonjë masë mbrojtëse, për shkak të vështirësisë për t’i dhënë një zgjidhje situatës së krijuar. Transporti i udhëtarëve nga Tirana në Elbasan dhe anasjelltas edhe sot ka vijuar në këmbë disa minuta, teksa makinat i shkëmbejnë ata pranë dy skajeve të rrugës së bllokuar. Makina të tjera janë të detyruara rë kalojnë nga segmenti i Durrësit, që zgjat afro 100 km më shumë.  Por linjat e udhëtarëve që ndërrojnë dy automjete, para se të shkojnë në Ibë, i kanë lënë pasagjerët që ta përshkojnë në këmbë një segment prej mbi 1 kilometër.  Rrugët mbahen të bllokuara nga policia, e cila me forca të shumta patrulluese, ka ngritur disa postblloqe. Paraditen e së hënës, banorët që rrezikohen nga shembja e masivit të dheut kanë kërkuar zgjidhje nga firma kontraktore, që po punon për ndërtimin e rrugës së re Tiranë-Elbasan. Pas një debati të gjatë, firma ka ofruar mundësinë e strehimit të tyre, si e vetmja alternativë momentale. Dëmi i shkaktuar deri tani vleërsohet minimalisht deri në 70 mln lekë të (reja). Ndërkohë që, edhe të dërguarit e Prefektit në zonë kanë marrë masa për të vlerësuar dëmet, që shkaktoi rrëshqitja e masivit të dheut. Situata duket se pavarësisht përpjekjeve, nuk po merr një zgjidhje përfundimtare. Kjo rrugë lidh qytete të ndryshme të juglindjes së vendit, që nga Erseka, Devolli, Korça, Pogradeci dhe më tej trevat e Shqipërisë së Mesme, si Elbasani, Librazhdi e Gramshi, me kryeqytetin. 

SHKARKO APP