Ruçi takon të dërguarin e OKB për sigurinë rrugore: S’ka qytete inteligjente, pa rrugë të sigurta
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot të Dërguarin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për sigurinë rrugore, Jean Todt. Kryetari Ruçi e informoi z. Todt mbi prioritetin që i jep Kuvendi dhe Qeveria e Shqipërisë sigurisë rrugore, si një aspekt i rëndësishëm i sigurisë kombëtare dhe zhvillimit ekonomik, njerëzor dhe të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.
“Qeveria dhe agjencitë e saj po punojnë për garantimin e lëvizjen e sigurtë, efiçencës së transportit, përgatitjen e legjislacionit dhe ofrimin e zgjidhjeve të integruara për sistemet e transportit rrugor, duke garantuar përputhshmërinë e tyre me planet e zhvillimit ekonomik të vëndit dhe me standardet më të larta ndërkombëtare, sipas parimit ‘Transport të thjeshtë dhe të sigurtë për të gjithë’. Kuvendi ka qenë gjithmonë aktiv në propozimin dhe miratimin e përmirësimeve në Kodin Rrugor, me qëllim të letësojmë qarkullimin, të rrisim sigurinë, të mbrojmë jetën e qytetarëve dhe të ulim kostot e aksidenteve rrugore për familjet, ekonominë dhe shoqërinë. Pa siguri rrugore nuk ka qytete inteligjente”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Numri i aksidenteve rrugore gjatë vitin 2019, krahasuar me vitin 2018 është ulur me rreth 13%, ndërkohë që numri i aksidenteve me vdekje shënoi një ulje më të lehtë.
I Dërguari i Posaçëm, Jean Todt, falenderoi Kryetarin e Kuvendit për angazhimin e Kuvendit në përmirësimin e legjislacionit për sigurinë rrugore dhe vuri në dukje se m egjithë problemet, “Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të bëhet lider rajonal në sigurinë rrugore dhe pakësimin e aksidenteve rrugore.”
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi sigurinë rrugore si një cështje komplekse, rëndësinë e edukimit të popullsisë, sidomos brezit të ri me kulturën e sigurisë në rrugë, nevojën e zbatimit me rreptësi të legjislacionit, cilësinë dhe standartet duhura në ndërtimin e rrugëve dhe insfrastrukturës rrugore, cilësinë e automjevete të importuara etj.