Rutte: Marrëveshja Shqipëri-Kosovë-Kroaci s’ka të bëjë me NATO-n

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se situata e sigurisë në Kosovë është shumë e rëndësishme për ta, teksa ritheksoi se kanë kërkuar nga Presidenti Vuçiç të punojnë për llogaridhënie sa i përket sulmit në Banjskë. Rutte nuk pranoi të komentonte marrëveshjen për mbrojtje mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë si dhe atë mes Serbisë dhe Hungarisë, duke thënë se NATO nuk është e përfshirë.

”Marrëveshja Shqipëri-Kosovë-Kroaci nuk ka të bëjë me NATO-n. Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është një shqetësim për ne dhe prandaj NATO ka praninë e tij si në Kosovë ashtu edhe në Bosnje dhe Hercegovinë. Gjithashtu, kemi 5 aleatë të NATO-s në rajon: Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kroacia dhe Sllovenia dhe punojmë shumë ngushtë bashkë, por duhet të kuptoni se si Sekretar i Përgjithshëm nuk mund të komentoj çdo gjë që ndodh në çdo vend të botës, përfshirë Ballkanin Perëndimor.

U takon individualisht vendeve aleate të vendosin. Po ka shumë marrëveshje të tilla dypalëshe, trepalëshe. Duhet të sigurohemi që stabiliteti i arritur që nga viti 1999 të vazhdojë. Sa u përket ngjarjeve në Banjskë dhe sulmit ndaj forcave të NATO-s në vitin 2023, serbët duhet të punojnë për të mbajtur përgjegjësi. Kjo ishte tema e diskutimit tonë me presidentin Vuçiç në telefon, si dhe gjatë darkës që kishim në Bruksel dy javë më parë”, tha Rutte.

SHKARKO APP