Sa do të rriten pensionet?
Pensionistët në qytet do të marrin mesatarisht 543 lekë më tepër këtë muaj, ndërsa ata në fshat vetëm 320 lekë më shumë. Nga 20 mijë e 123 lekë aktualisht, ajo që merr çdo muaj një i moshuar që jeton në qytet do të bëhet 20 mijë e 666 lekë. Qeveria ”Rama 4” vuri në dispozicion një fond shtesë në vlerën e 872 milionë lekëve. Nga rritja do të përfitojnë rreth 777 mijë pensionistë. Ndërkohë pagesa mujore mesatare që merr një i moshuar në fshat, pas indeksimit me 2.7 për qind të do të bëhet 12 mijë e 198 lekë nga 11 mijë e 878 lekë që aktualisht është.
300 lekë më tepër do të marrin edhe përfituesit e pensionit të invaliditetit në zonat urbane, ndërsa ata që trajtohen me pension familjar do të përfitojnë rreth 450 lekë më tepër. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se inflacioni për mallrat e shportës për pensionistët nga tetori i vitit të shkuar deri më tani ka rezultuar rreth 2.7 për qind dhe për pasojë indeksimi do të jetë në të njëjtën masë.
Ajo që pensionistët në vend marrin nuk mjafton për të përballuar jetesën. Nisur nga një përllogaritje me bazë përgjigjet e tyre, një çifti pensionistësh i duhen së paku 50 mijë e 400 lekë për të përballuar nevojat e një muaji. Nga ana tjetër, po ky çift merr mesatarisht 40 mijë nëse jeton në qytet.
KOHA JONË SONDAZH

