Sa herë përdorni doreza, ja ç’duhet të keni parasysh
Në këtë kohë të pandemisë, higjena personale, distancimi social dhe izolimi janë 3 pikat e forta që të mos prekesh me Covid-19. Ajo që një pjesë e mirë e njerëzve harrojnë është numri i madh i baktereve që mund të mbajnë dorezat nëse nuk veprohet siç duhet me to. Një infermiere ka realizuar një video përmes së cilës tregon sa shpejt dhe sa lehtë mund të përhapen bakteret kur jemi në një supermarket dhe mbajmë doreza. “Më tmerron vetëm ideja që njerëzit mendojnë se duke vendosur doreza janë të sigurtë dhe se nuk kanë asnjë shans për t’i bërë dëm vetes apo të tjerëve. Ne dimë që koronavirusi shpërndahet përmes kollës, teshtimës dhe me shumë mundësi edhe duke marrë frymë, gjë që e bën më përhapjen e mikrobeve shumë më të lehtë”.
Fillimisht vendos dorezat, pastaj kap telefonin ndërkohë që del nga makina. Hyn në supermarket dhe merr disa letra higjenike. Më pas prek sërish telefonin. “Të gjithë mikrobet tani janë përqëndruar tek dorezat tuaja. Tani e zëmë se unë po eci dhe më bie telefoni. E hap telefonin, shkruaj një mesazh ndërkohë që marr gjërat që më duhen për shtëpinë. Kujtoni gjithë mikrobet që janë mbledhur në doreza, në celularin tuaj dhe çdo gjë që prekni. Unë si infermiere di si t’i përdor dorezat dhe jam mësuar me to, por shumica e njerëzve jo. Ata i përdorin duke menduar se mund të mbrohen, por nëse nuk e bëjnë siç duhet nuk ka vlerë”.
Në momentin që heqni dorezat dhe prekni sërish celularin duke menduar se duart tuaja janë të pastra, sapo keni bërë gabimin numër 1. Sipas ekspertëve nuk ka asnjë vlerë mbajtja e dorezave nëse nuk lani duart sa herë prekni diçka. Kjo sepse çdo gjë që gjendej në doreza mund të kalojë në telefon dhe kështu nuk i shpëtoni dot përhapjes së baktereve . Mos mendoni se duke hequr dorezat duart tuaja janë të pastra. Jo, sepse telefoni juaj s’është dhe sapo e prekët sërish. Këshilla tjetër po aq e rëndësishme sa larja e duarëve është t’i hidhni dorezat menjëherë sapo të keni mbaruar veprimin.