Sakrifica e fëmijëve të Aranitasit, 14 km në këmbë, për të marrë dije
Aktualitet E Hënë, 3 Maj 2021 17:00
Çdo ditë 4 orë rrugë në këmbë për të marrë dije. Ky është realiteti i vështirë i fëmijëve që banojnë në fshatin Lumar në komunën Aranitas në rrethin e Mallakastrës. Për çdo ditë ata dalin nga shtëpitë e tyre në 6.30 të mëngjesit, kalojnë përmes përroin e fshatit I cili bashkohet me Lumin Gjanica dhe pas 2 orësh rrugë të vështirë fillojnë mësimin në shkollën 9 vjeçare “Ramiz Aranitasi“. Ulen në bankat e shkollës me këmbë të lagura nga rruga e baltosur duke mos lënë mbrapa as lodhjen e 4 orëve rrugë. Kjo vetëm për arsyen e vetme se urat që lidhin fshatrat mungojnë. Edhe pse prej vitesh u është premtuar se do t’u ndërtojnë rrugën që I lidh me qëndrën e komunës ende nuk është bërë asgjë, raporton Fiks Fare në Top Channel.
Banoret tregojnë vështirësitë që sjell mungesa e rrugës dhe e urave. Për shkak të mungesës së këtyre të fundit shpesh herë në dimër izolohen pasi prurjet e lumit janë të mëdha. Mungesa e rrugës jo vetëm u ka vështërsuar jetën, por në raste sëmundjesh largësia me spitalin ka marrë edhe jetë. Një prej banorëve tregon se dy vite më parë, vajza e tij 22 vjeç, humbi jetën, ndërsa e transportonin rrugës për në spitalin e Fierit. Një tjetër banor shprehet se edhe pse jetesa e tyre është e vështirë, nga pushteti lokal nuk kërkon as punësim e asgjë tjetër, vetëm rrugë dhe një mjet transporti për të çuar fëmijët në shkollë.
Gazetarët e “Fiks Fare” udhëtuan në këmbë nga komuna Aranitas deri në fshatin Lumar, në pikën e takimit ku mblidhen nxënësit për të bërë bashkë në këmbë rrugën prej 7 km për në shkollë, pasi është një segment I pakalueshëm nga automjetesh.
Në orën7 pa nje çerek,grupi I xhirimit të Fiksit nisin të ecin bashkë me nxënësit drejt shkollës, për të parë në çdo detaj kalvarin e vuajtjeve në rrugën për të marrë dije. Në këtë zonë janë rreth 15 nxënës, por largësia me shkollën ka bërë që familjet t’i dërgojnë shumicën prej tyre tek të afërmit në zona të tjera, çka i lë ata jashtë kujdesit prindëror në një moshë mjaft delikate.
Në pjesë të caktuara balta e rrugës është e madhe, këmbët e fëmijëve janë tërë baltë, çka I detyron të lajnë këpucët në pellgun e parë që gjejnë si e vetmja mënyrë për të ruajtur një pamje të rregullt. Pas një ore ecje, ata kanë vendin e tyre për të pushuar për pak minuta për të rifilluar sërisht . Rrugës shkëmbehen me një banor të zonës mbi një kafshë pune. Ai shprehet se gomari është i vetmi mjet që kalon në këtë rrugë. Si zonë malore jeta është e vështirë, rruga pothuajse i ka izoluar.
Pas 2 orë rrugë e 7 km të përshkruar në këmbë ,më në fund arrijnë në shkollë në orën 8:50. Mësimi ka filluar në orën 8:39.
Gazetarët takojnë mësuesen Nerenxa Salobeaj, e cila thekson se janë në dijeni të vështërsisë që kanë këta nxënës për të përshkuar çdo mëngjes rreth 2 orë rrugë. E megjithatë nuk ndodh shpesh që fëmijët të vinë me vonesë. Ata janë mjaft të rregullt dhe nxënës të mire, shprehet ajo.
Kurse drejtoresha e shkollës 9 vjeçare “Ramiz Aranitasi“ Miranda Mahmutaj , e pyetur për problemin na thotë se është në dijeni dhe se e ka përcjellë edhe në instanca të tjera. Sipas saj nxënësit marrin 900 lëkë në muaj për transportin dhe bashkë me prindërit kanë biseduar që ata të gjejnë një makinë dhe të mundësojnë lëvizjen e fëmijëve. Mahmutaj shprehet se rruga është një problem shumë I madh, ndaj për momentin sheh si zgjidhje të vetme që veç fondit që jep Ministria e Arsimit prej 47 lekë në ditë, buxheti të shtohet edhe nga prindërit dhe të pajtojnë një mjet që t’i presë deri aty sa mund të jetë rruga e kalueshme.
Gazetarët e fiksit iu drejtuan edhe bashkisë Ballsh, ku kryetari Agron Kapllani, shprehet se problemi i rrugës që lidh fshatin Lumar me komunën Aranitas është i mbartur prej vitesh dhe brenda dy muajsh do te fillojë rehabilitimi i segmentit prej 7 km, por për ndërtimin e plotë të saj bashkia nuk ka fonde mjaftueshëm. Gjithashtu po për mungesë fondesh nuk mund të ndërtohen as dy urat e nevojshme që lidhin lagjet e fshatit me njëra-tjetrën.
“Me kënaqësi do t’i propozojë Këshillit të Bashkisë që të lëvrohej një fond I veçantë veç shifrës 900 lekë në muaj që marrin nxënësit nga Ministria e Arsimit, në mënyrë që të mundësohëj transporti. Por edhe kjo mundësi duket e pamundur me fondet që ka bashkia e Ballshit”, tha Kapllani. E deri në gjetjen e një zgjidhje nga institucionet, fëmijët do të vazhdojnë të rrugëtojnë në këmbë 14 km, çdo ditë për të marrë dije. TCH
KOHA JONË SONDAZH