Sala: Plan Kombëtar për Hepatitet Virale, synohet eliminimi i hepatiteve B dhe C

Shqipëria ka miratuar për herë të parë Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, duke iu bashkuar objektivit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe vendeve europiane për eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, bëri të ditur se ky plan përbën një angazhim të ri për forcimin e parandalimit, rritjen e testimeve dhe diagnostikimin e hershëm të rasteve.

Sipas saj, një sistem shëndetësor modern duhet të fokusohet te parandalimi dhe ndërhyrja në kohë, duke krijuar mundësi më të mira për trajtimin e pacientëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Shqipëria nis rrugëtimin drejt eliminimit të hepatiteve virale. Ky Plan nuk është thjesht një dokument strategjik, por një angazhim konkret për të zgjeruar testimin dhe diagnostikimin, për të përmirësuar aksesin në trajtim dhe për ta afruar kujdesin shëndetësor pranë qytetarëve”, u shpreh Sala.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ministrja theksoi se qendrat e specializuara do të vijojnë të kenë një rol të rëndësishëm, ndërsa objektiv është forcimi gradual i shërbimeve rajonale, kujdesit parësor dhe kapaciteteve diagnostikuese në të gjithë vendin.

Një ndër synimet kryesore të planit është zgjerimi progresiv i kritereve të trajtimit, në mënyrë që kujdesi të mos kufizohet vetëm te pacientët me forma të avancuara të sëmundjes.

Sipas Salës, dokumenti është hartuar falë bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare, ekspertëve kombëtarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke u bazuar në standardet e OBSH-së dhe politikat europiane për shërbime shëndetësore më të aksesueshme dhe të barabarta.

Hepatitet virale konsiderohen ndër shkaktarët kryesorë të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë. Për këtë arsye, lufta kundër këtyre infeksioneve shihet edhe si pjesë e strategjisë për reduktimin e rasteve të kancerit.

“Objektivi ynë është i qartë: më pak infeksione të reja, më shumë diagnoza dhe trajtime në kohë, më pak cirrozë, më pak kancer të mëlçisë dhe më shumë jetë të mbrojtura”, deklaroi ministrja.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?