Gjykata e Posaçme ka liruar nga masa e sigurisë “arrest shtëpie” kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha

Gjykata e Posaçme ka liruar nga masa e sigurisë “arrest shtëpie” kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Ish kryeminisri Sali Berisha rifiton lirinë e plotë.

Sot Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pranoi kërkesën e avokatit të tij, dhe vendosi revokimin e arrestit në shtëpi, një masë e marrë pasi zoti Berisha kishte refuzuar më herët të zbatonte urdhërin e Gjykatës për t’u paraqitur dy herë në muaj, pranë një oficeri të policisë gjyqësore.

Lajmin e ka bërë me dije avokati i Berishës, Genc Gjokutaj në një prononcim për mediat, pas përfundimit të seancës, i cili tha se tashmë ndaj liderit demokrat nuk ka asnjë masë sigurie.

Gjithashtu, ai bëri me dije se prokurori i çështjes ka kërkuar që të qëndronte në masën “arrest shtëpie”, por kërkesa e tij nuk është pranuar nga gjyqtarja. Revokimi i masës është bërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi. Sali Berisha u vendos në arrest shtëpie më 30 dhjetor të vitit të kaluar, pasi SPAK ngriti ndaj tij akuzën për korrupsion pasiv në bashkëpunim për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Githashtu në njoftim shtohet se GJKKO ka vendosur dhe revokimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”.

NJOFTIMI:

Nisur nga interesi që ka në publik dhe në media dosja “Partizani”, në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, etj…, ju njoftojmë se:

Sot, më datë 27.11.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në nenet 228, 229, 230, 237 dhe 260 të K.Pr.Penale ka vendosur pranimin e kërkesës së kërkuesit të pandehurit Sali Berisha dhe revokimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”.

Tiranë, më datë 27.11.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Ka reaguar menjëherë Ilir Meta: “Përshëndetjet më të përzemërta për liderin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe urime për të gjithë qytetarët që duan dhe meritojnë një shtet të së drejtës! Në veçanti, dua të përshëndes Prof. Dr. Berishën me deklaratën time, si President i Republikës, të bërë më 22 maj 2021, kur ai u shpall “non grata”, sepse gjithmonë kam qenë i bindur se ajo fletërrufe u hartua kundër tij nga Edi Rama, Sorosi, Charles McGonigal, Rossini dhe Mcgonigalët e tjerë për të shkatërruar pluralizimin politik për qëllime korruptive dhe helmuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA.

Mirënjohje të jashtëzakonshme edhe për Gjykatën e Strazburgut, që si asnjëherë tjetër, e ka klasifikuar rastin “Berisha” si “leading case”, pra të rëndësishëm dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të gjykatave të brendshme.

Desorosifikimi drejtësisë dhe shoqërisë tonë është një emergjencë kombëtare për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe mbrojtur interesat kombëtare”, deklaron Meta.

GJKKO heq masën “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës

“Mbi masën e kërkesës tonë, sot gjykata revokoi masën e arrestit të shtëpisë, një masë . Nga sot Sali Berisha është i lirë. Ndaj tij nuk ka asnjë masë tjetër sigurie. Gjykata përcaktoi se nuk ekzistojnë më kushtet që Berisha të qëndrojë në masa sigurie. Prokurori kërkoi që të lihej në fuqi masa “arrest shtëpie”. Kërkesa jonë është bërë pas vendimit të Kushtetueses. Vendimi i gjykatës është i zbatueshëm që sot, që sot ai është i lirë.”, tha avokati Genc Gjokutaj.

SHKARKO APP