Sali Lusha: Arrestimi i djalit tim, hakmarrje për këngën kundër Ramës

Sali Lusha, babai i këngëtarit Arkimed Lushaj, i njohur me ermin e artit Stresi, e quan padrejtësi dhe inskenim ngjarjen ku djali i tij u ndalua nga policia. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Sali Lusha tregon detajet se si ka ndodhur ngjarja duke shpjeguar se i biri ka qenë pasagjer në makinën që u ndalua nga policia, pasi automjeti drejtohej nga shoku i tij.

Babai i këngëtarit shprehet se nuk ka asnjë dyshim që ngjarja ka prapavijë politike për shkak të një kënge që Stresi ka bërë kundër Kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, ai shprehet me bindje se ngjarja nuk është porosi e Kryeministrit, por një incident i sajuar nga persona të caktuar, në mënyrë që t’i bëjnë përshtypje Edi Ramës.

Sali Lusha pranon faktin që i biri nuk është i pajisur me patentë, ndërsa sipas tij fakti që policia tashmë shprehet se Stresi nuk kishte konsumuar alkool, është thjesht një përpjekje për t’i vështirësuar pozitat e tij. Një mënyrë që këngëtari të mos ketë asnjë lehtësi për faktin se ishte nën efektin e alkoolit.

“Siç duket, policia tani nuk do që t’i justifikojë veprimet e tij me pijen dhe me faktin që ka qenë nën efektin e alkoolit dhe thotë që nuk ishte i pirë. Në qoftë se djali im ka fryrë te testi i alkoolit dhe nuk ka dalë me pije, atëherë e paskan problemin testet, qenkan të skaduar”, shprehet Sali Lusha.

SHKARKO APP