Salianji nuk lejohet të garojë? Kopliku: Berisha është i vetmi kandidat për kryetar të PD
Ish-kandidati për deputet i PD në qarkun e Shkodrës, Tedi Kopliku thotë se Sali Berisha është i vetmi kandidat për kryetar të PD në garën e 23 majit. I pyetur për debatet e brendshme mes Ervin Salianjit dhe lidershipit të PD, pas nisjes së lëvizjes së ish-deputetit për riorganizimin e PD, Kopliku tha se Salianji nuk e fiton dot përballjen me Berishën.
”Berisha është i vetmi kandidat që ka ndjekur rrugët e forumeve, dhe është shpallur kandidat. Prej 2021 ka udhëhequr opozitën në sfidat e brendshme e të jashtme, nuk është e lehtë ta drejtosh opozitën në një vend që po degradon drejt autokracisë dhe me shumë mundësi mund të jetë për momentin kryetar i PD derisa nuk ka një kandidat të shpallur. Unë nuk di se ka një kandidat të shpallur që respekton forumet e PD, institucionin e partisë. Nuk besoj se ju mendoni se Salianji e mund Berishën brenda PD”, tha Kopliku.
Drejtuesi i Departamentit të Brain Gain në PD, tha se ish-deputeti Ervin Salianji nuk ka ndjekur rrugën institucionale të PD për të kryer betejat e tij. ”Nuk mund të përdorësh rrugën institucionale dhe të bësh rrugën tënde jashtë forumeve të PD duke përdorur struktura paralele. Salianji është një personazh që ka bërë betejën e tij e ka udhëhequr më shumë në media se brenda dyerve të PD. Jam totalisht kundër qasjes së përjashtimit, nuk e di se është penguar. Jashtë komplet rregullave ka qenë anëtar i kryesisë së PD, drejtues politik në një qark të rëndësishëm para se të kryente burgun politik, është një nga njerëzit që ka patur më shumë hapësirë se të gjithë në PD. Në perceptimin tim, nuk shoh që Salianji ka ndjekur rrugën institucionale të PD, pra nuk mund të përdorësh rrugën institucionale dhe të bësh rrugën tënde jashtë forumeve të PD duke përdorur struktura paralele”,-tha në ”News 24”.
KOHA JONË SONDAZH

