FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Salla dhe Lamallari inspektojnë Qafë Thanën, paralajmërohen investime të reja për sigurinë ushqimore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilluan një inspektim në Pikën e Inspektimit Kufitar të Qafë Thanës, ku prezantuan masat dhe investimet që synojnë forcimin e kontrollit të mallrave dhe garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore.

Gjatë vizitës, ministri Salla njoftoi se, me mbështetjen e Bankës Botërore, në Qafë Thanë do të realizohen investime të rëndësishme për ndërtimin e infrastrukturës moderne të magazinimit dhe ambienteve të dedikuara për kontrollin e importeve dhe eksporteve.

“Po investojmë në pikat kufitare për magazinim të plotë dhe për krijimin e kushteve që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të monitorojë në mënyrë të plotë eksportet dhe importet. Analizat që lidhen me sigurinë ushqimore do të kryhen këtu, duke shmangur vonesat e panevojshme dhe duke garantuar më shumë siguri për qytetarët”, deklaroi Salla.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai theksoi se investimi do të krijojë kapacitetet e nevojshme për kontrollin e produkteve që hyjnë në vend, duke garantuar përmbushjen e standardeve të sigurisë ushqimore.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Është shumë e rëndësishme që të kontrollojmë çdo produkt që hyn në Shqipëri, në mënyrë që qytetarët të kenë garanci se produktet që konsumojnë përmbushin standardet e sigurisë ushqimore. Synimi ynë është që këto investime të shtrihen në të gjitha pikat doganore sipas standardeve europiane”, shtoi ministri.

Salla bëri të ditur gjithashtu se do të ndërtohen shtatë laboratorë të rinj në të gjithë vendin për analizimin e produkteve ushqimore.

“Pikat kufitare do të kenë investime të posaçme për garantimin e sigurisë ushqimore në import dhe eksport. Përmes laboratorëve dhe analizave në kohë reale, do të garantojmë cilësinë e produkteve që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria”, tha ai.

Nga ana e tij, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, vuri theksin te bashkëpunimi ndërinstitucional dhe lehtësimi i procedurave kufitare.

“Po ndjekim, në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme, përmbylljen sa më të shpejtë të marrëveshjes me palën maqedonase, për të përfituar nga lehtësimi i procedurave dhe kalimi më i shpejtë i pasagjerëve dhe mallrave, pa cenuar sigurinë. Qafë Thana është pika më e madhe kufitare mes dy vendeve tona dhe kërkon koordinim të plotë mes të gjitha institucioneve”, u shpreh Lamallari.

Sipas tij, Policia e Shtetit, Doganat dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet të funksionojnë si një mekanizëm i vetëm për të parandaluar kontrabandën dhe hyrjen e produkteve të pasigurta në treg.

“Garantimi i cilësisë së ushqimeve sipas standardeve më të mira është një mision i përbashkët. Bashkëpunimi mes institucioneve është thelbësor për të mbrojtur konsumatorët shqiptarë dhe për të siguruar që produktet që eksportohen nga Shqipëria të përmbushin kriteret dhe standardet e kërkuara ndërkombëtarisht”, deklaroi Lamallari.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?