Salla: Garancia Sovrane në bujqësi, mbështetje për zgjerimin e aktivitetit
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vizitoi në Bradashesh të Elbasanit sipërmarrjen familjare “Çela Herbal”, e cila prej më shumë se 30 vitesh merret me grumbullimin dhe tregtimin e bimëve medicinale, duke bashkëpunuar me rreth 400 fermerë nga e gjithë Shqipëria dhe duke eksportuar rreth 400 tonë produkte në vit, kryesisht drejt tregjeve europiane.
Gjatë vizitës, Salla u njoh nga afër me aktivitetin e sipërmarrjes së drejtuar nga Aleksandër Çela, e cila grumbullon mbi 100 lloje bimësh medicinale dhe aromatike, me destinacione eksporti si Gjermania, Polonia, Italia, Franca dhe Greqia.
Në fokus të bashkëbisedimit ishte mbështetja financiare për zgjerimin e aktivitetit, investimet në makineri dhe teknologji të reja, si dhe përfitimet e fermerëve nga skema e kompensimit 10% të faturave të shitjes.
“Garancia Sovrane është në mbështetjen tuaj. Pikërisht biznesin që ju keni e mbulon shumë mirë për makineritë dhe ju dyfishoni të gjithë sipërmarrjen tuaj. Është deri në një shumë prej 2 milionë eurosh, me një garanci të shtetit, me një përqindje 2 deri në 3%”, u shpreh Ministri Salla, duke prezantuar mundësitë e financimit përmes Kredisë së Butë me Garancinë Sovrane.
Salla theksoi gjithashtu se institucionet janë në dispozicion të sipërmarrjeve për t’i orientuar dhe asistuar gjatë procesit të aplikimit.
“Nëse do t’ju duhet ndihmë, ne jemi të gatshëm t’ju asistojmë për të gjitha procedurat që nevojiten, në mënyrë që të mos keni problematika në dokumentacion apo në procedurat që do të ndiqen për të përfituar nga Garancia Sovrane”, tha Salla.

