Samiti Botëror, Manastirliu: Të angazhuar për rritjen e mbulesës vaksinale
Samiti Botëror i Vaksinimit ka organizuar një mbledhje me në qendër vaksinimin, ku mori pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe 400 përfaqësues të lartë politikë nga e gjithë bota. Presidenti i Komisionit Europian dhe drejtuesi i OBSH-së, vunë theksin te angazhimi politik dhe rritja e aksesit për vaksinimin e fëmijëve, duke e konsideruar të drejtën për shëndet si të drejtë për t’u vaksinuar.
Manastirliu u takua me drejtorin e përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanomo Ghebreyesus me të cilin rikonfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për ruajtjen dhe forcimin e mbulesës vaksinale në çdo komunitet. Gjatë bashkëbisedimit me dr. Adhanomo, ministrja theksoi se po punohet për të gjetur zgjidhje alternative, për të mbërritur tek çdo fëmijë përmes vaksinimit në komunitet. Veç angazhimit politik, ne Samit u vu theksi tek rritja e aksesit dhe rikthimi i besimit në procesin e vaksinimit, për ta kthyer në prioritet të shëndetit publik, duke ndihmuar komunitetet për përfitimin e vaksinës.
Një prej çështjeve kryesore të diskutuara në Samit ishte roli i medias dhe kryesisht rrjeteve sociale kundër disinformimit dhe përhapjes së lajmeve të rreme mbi efektet e vaksinimit. Aktualisht është arritur një marrëveshje me Facebook, Google, Twitter etj për të filtruar profilet e rreme dhe ndalimin e përhapjes së informacione të pa vërteta mbi efektet e vaksinimit. Vaksinimi është programi më me kosto-efektiv i shëndetit publik. Parandalon rreth 3 mln vdekje në vit dhe sipas ekspertëve të OBSh mund të parandalohen edhe 1.5 mln vdekje/ vit nëse merren masat e duhura nga çdo vend për të rritur mbulesën vaksinale.
Hezitimi ndaj vaksinës konsiderohet 1 ndër 10 kërcënimet me serioze të shëndetit publik në Botë. Për këtë arsye në Samit u vu theksi në marrjen e përgjegjësisë nga çdo vend për aplikimit e programeve të suksesshme të vaksinimit.