Samiti i Europës në Tiranë, Costa dhe Rama letër liderëve. Tregohen 3 tematikat

Europa do të jetë në Tiranë, dhe Shqipëria do të shndërrohet në kryefjalë e politikës së rajonit. Ndaj Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe kryeministri Edi Rama, u kanë drejtuar një ftesë të përbashkët liderëve nga BE-ja dhe më gjerë që marrin pjesë në samitin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian që mbahet të enjten dhe premten në Tiranë.
Në letër Costa e Rama shprehen se Evropa po përballet me një moment historik, të shënuar nga sfida të shumëanshme dhe komplekse. Motoja e samitit Evropa e re në një botë të re: Unitet-Bashkëpunim-Veprim i Përbashkët.
Mbështetur në ecurinë e samiteve të mëparshme, Samiti i Tiranës do të jetë vendimtar për një platformë për rritjen e dialogut dhe thellimin e bashkëpunimit. ”Ne duhet që të kthehemi tek sfidat e përbashkëta me mundësinë për të çuar përpara objektivat tona. Ne do të zhvillojmë një seancë plenare të fokusuar në sigurinë dhe vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen të Evropës, të ndjekura nga 3 tryeza tematike:
1-Siguria në Evropë dhe Forcimi i Qëndrueshmërisë Demokratike; Një Europë për 600 milionë qytetarë;
2-Rritja e konkurrencës dhe sigurisë evropiane përmes Inovacionit;
3-Një Evropë e hapur me kufij të sigurt dhe adresimi i sfidave të lëvizshmërisë”.
Ndër të tjera në këtë letër thuhet se pasojat e saj e agresionit të Rusisë shtrihen shumë përtej kufijve të Ukrainës, duke kërcënuar sigurinë kolektive evropiane. Ekonomitë në vendet tona theksojne Rama e Costa po përballen me rreziqe fragmentimi, duke minuar zhvillimin e metejshem dhe aftësisë për të ruajtur rritjen dhe konkurrueshmërinë. Për ta migrimi i parregullt dhe instrumentalizimi i tij mbetet një sfidë e rëndësishme duke ndërlikuar përpjekjet për lëvizshmëri të sigurt dhe të rregullt të qytetarëve evropianë.