Samiti i Komunikimit Strategjik në Stamboll, Hysi: Shqipëria zbaton modelet e para të inteligjencës artificiale
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Media dhe Informim, Alteo Hysi, mori pjesë në Samitin e Komunikimit Strategjik, i organizuar në Stamboll nga Drejtoria e Komunikimit të Presidencës së Turqisë.
Këtë vit, samiti mikpriti drejtues të strukturave të komunikimit, ministra të informacionit dhe digjitalizimit nga e gjithë bota, akademikë dhe ekspertë të fushës së komunikimit dhe teknologjisë, me fokus inteligjencën artificiale, trendet dhe rrisqet e përdorimit të saj.
Gjatë bashkëbisedimit të tij në samit me gazetaren e BBC, Louisa Pilbeam, Hysi theksoi se “Shqipëria vjen me një Revolucion të vërtetë Digjital në fushën e shërbimeve publike me 95% të këtyre shërbimeve që ofrohen ekskluzivisht online në platformën unike, E Albania.”
“Një dekadë më parë qytetarë u duhej të prisnin në radhë të gjatë për të marrë shërbime bazike me shpresën për të shmangur pengesat burokratike, ndërsa tani, gjithçka aksesohet online. Pas kësaj faze të parë, në platformë është integruar Asistenti Virtual, një model i bazuar në AI, i cili i përgjigjet në kohë reale pyetjeve dhe kërkesave të qytetarëve, duke ofruar zgjidhje të personalizuara. Shqipëria po zbaton sisteme të inteligjencës artificiale në fushën e prokurimeve publike si dhe për përkthimin e ligjeve dhe direktivave të BE në kuadër të procesit të integrimit evropian”, tha Hysi.
Drejtori i përgjithshëm i MIA shtoi se vendi ka nisur të zbatojë projekte si smartlabet në shkolla që fëmijët të mund të mësojnë kodimin në moshë të hershme, apo nxitja e sipërmarrjeve të reja inovative në fushën e teknologjisë përmes një programi vjetor grantesh, për të përgatitur kështu një gjeneratë të re të pajisur me aftësitë për të qenë konkurruese në botën digjitale.
Hysi u mikprit në një takim nga Drejtori i Komunikimit të Presidencës Turke, Proff. Dr. Fahrettin Altun, me të cilin diskutuan mbi bashkëpunimin e mëtejshëm në promovimin e vlerave kulturore dhe historike të të dyja vendeve, si dhe mbi agjendën për shkëmbimet e praktikave më të mira profesionale në kontekstin e zhvillimeve teknologjike, për stafet respektive të të dyja strukturave.
ATSH