Samiti i NATO-s në Ankara, një samit historik!
Nga Sali Berisha-
Samiti i fundit i Aleancës së Atlantikut të Veriut shënoi një sukses historik për Aleancën dhe vendet anëtare. Për fat të keq, mediat në Shqipëri, në vend të analizës dhe paraqitjes së rëndësisë së vërtetë historike të Samitit të Ankarasë, u morën më së shumti me atletet e Edi Ramës. Ky i fundit, në shkelje të plotë të kodit etik dhe protokollit të takimit më të rëndësishëm dhe më serioz në planet, i pashërueshëm nga eksibicionizmi i tij ekstrem, zgjodhi të paraqitet me atlete sikur po hynte në një fushë sporti. Për këtë akt, brutofigure, ai mori përçmimin dhe nofkat që meritonte nga liderët e pranishëm dhe në mediat botërore. Por, sigurisht, këto nuk kanë asnjë lidhje me rëndësinë e vërtetë historike të Samitit.
Pse ky samit ishte historik?
Së pari: Samiti i Ankarasë ishte historik sepse u mblodh pas kundërshtive publike të krijuara midis disa vendeve të mëdha anëtare të NATO-s dhe SHBA-së, si vendi udhëheqës i Aleancës të nxitura nga konflikti i SHBA-së dhe Izraelit me Iranin. Refuzimi i disa vendeve anëtare për të lejuar përdorimin e bazave ushtarake të SHBA-së në vendet e tyre për operacione ushtarake kundër Iranit vuri seriozisht në dyshim vlerën e Aleancës për Uashingtonin, i cili në 77 vitet e saj kishte shpenzuar trilionë dollarë për mbrojtjen dhe sigurinë e aleatëve të tij në Kontinentin e Vjetër.
Pavarësisht kundërshtive të krijuara, historia e 110 viteve të fundit ka faktuar në mënyrë të përsëritur se siguria e Europës së lirë dhe ajo e SHBA-së janë të pazgjidhshme nga njëra-tjetra. Ky ka qenë shkaku më themelor i themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut 77 vite më parë dhe është sot shkaku kryesor i ekzistencës së saj. Paqja dhe liria në hapësirën euroatlantike nuk kanë dhe nuk do të mund të kenë një garantues të dytë si NATO, e madje deri diku, as liria e botës! Ndaj, Presidenti Donald Trump, duke u dhënë fund të gjitha dilemave dhe hamendësimeve, deklaroi në Ankara: “Ne jemi këtu së bashku me ju”, duke riafirmuar vendosmërinë e SHBA-së për të qëndruar e palëkundur në misionin e saj si vend udhëheqës dhe shtyllë kryesore e sigurisë së Aleancës Euroatlantike.
Së dyti: Në Ankara triumfoi plotësisht doktrina e Donald Trump-it për NATO-n, e bazuar në parimin e lashtë “nëse do paqen, përgatitu për luftë”. Ndaj, ai ne mandatin tij te pare kërkoi fillimisht respektimin rigoroz të statutit të NATO-s, që kërkon nga vendet anëtare të shpenzojnë për qëllime ushtarake 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Kur Presidenti Trump dhe qeveria e tij e kërkuan këtë në mandatin e tij të parë, vetëm 2-3 nga të gjitha vendet antare te Aleancës e zbatonin këtë kërkesë të statutit për mbrojtjen dhe sigurinë, dhe Europa nuk ishte në luftë. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës provoi qartësisht domosdoshmërinë e rritjes së shpenzimeve ushtarake nga vendet anëtare të NATO-s.
Pas rikthimit në pushtet, Presidenti Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës së tij kërkuan rritjen në 5% të PBB-së te shpenzimeve te mbrojtjes. Në Ankara, një pjesë e madhe e vendeve anëtare u zotuan t’i rrisin shpenzimet ushtarake deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, dhe kjo është një arritje historike transformuese për NATO-n.
Së treti: Në deklaratën e Samitit të Ankarasë, vendet anëtare riafirmuan me unanimitet të plotë besnikërinë e tyre ndaj parimit të mbrojtjes kolektive, të sanksionuar në Nenin 5 të Traktatit të Aleancës, çka do të thotë se çdo sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet si sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare.
Së katërti: Në Samitin e Ankarasë u vendos akordimi i 70 miliardë eurove ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe u nënshkruan kontrata për blerjen e 50 miliardë eurove armatime nga vendet anëtare.
Në mbyllje shtoj se një meritë e veçantë për përgatitjen dhe suksesin e samitit i takon Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe ekipit drejtues politik e ushtarak të Aleancës dhe padyshim vendit mikpritës dhe organizator, Turqisë. Ajo ka një nga rolet më të rëndësishme në misionin e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe, pavarësisht ndonjë simbolike të veçantë edhe të shmangshme, me organizimin dinjitoz dhe te perkryer pala kontribuoi ndjeshëm në arritjet dhe suksesin e Samitit të Ankarasë
KOHA JONË SONDAZH