Samiti me mjekët e diasporës, Manastirliu: Thirrje për të kontribuar në ngritjen e modelit të ri të menaxhimit të spitaleve

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko kanë vlerësuar kontributin e profesionistëve të shëndetësisë në Diasporë, në Samitin që u mbajt sot virtualisht dhe i kanë ftuar të kontribuojnë për fuqizimin e rrjetit të mjekëve shqiptare si brenda dhe jashtë vendit. Duke vënë theksin tek përmirësimi i kushteve të punës dhe incentivave financiare, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije politikat e qeverisë shqiptare për profesionistët e shëndetit.

”Në asnjë moment nuk është ndalur vëmendja nga profesionistët e shëndetit, duke i mbështetur ata, duke krijuar kushte më të mira pune, duke rritur nivelin e pagave dhe incentivat financiare. Rritja historike e pagave, e konkretizuar këtë vit me 40% dhe në tërësi në këto 8 vite me 57% rritje pagash në të gjithë vendin, në të gjitha nivelet, nga ai parësor në atë terciar është një premtim I mbajtur për profesionistët e shëndetit. Gjithashtu, për të gjithë mjekët që punojnë në Shqipëri dhe ofrojnë shërbim jashtë vendbanimit, qeveria ka alokuar një bonus të veçantë 2.5 milion lekë plus pagës. Duhet theksuar se përgjatë pandemisë, për të gjithë personelin mjekësor, mjekë, infermierë, staf mbështetës në spitalet Covid apo aty ku u shërbëhet pacientëve me Covid-19, qeveria ka vendosur bonusin special 1 mijë euro për mjekët dhe infermierët dhe 500 euro për personelin mbështetës, për të përkrahur mjekët, infermierët në frontin e parë të luftës kundër Covid-19”, tha Manastirliu.

Duke folur për planin e vaksinimit, ministrja u shpreh se Shqipëria i ka kapacitetet dhe ka një plan ambicioz vaksinimi anti-covid. ”Qeveria ka parapaguar rreth 1.6 milion doza vaksine, duke garantuar kështu vaksinimin e 800 mijë qytetarëve, me dy kontrata, me Pfizer dhe COVAX, ndërsa nuk i kemi ndalur kontaktet, qoftë me vende të Bashkimit Europian, qoftë me vende të tjera, për të siguruar ardhjen sa më parë të vaksinave, për të ecur me ritme të larta të vaksinimit. Duhet të jemi realistë, Shqipëria është e dyta në Rajon pas Serbisë që ka nisur vaksinimin dhe ne i kemi kapacitetet dhe ajo çka ne synojmë në planin tonë ambicioz, është që të mundemi të vaksinojmë popullatën në 14 muaj”, tha Manastirliu.

Duke folur për mënyrë e re të menaxhimit spitalor, Manastirliu u bëri thirrje mjekëve për të kontribuar për krijimin e modelit të ri të autonomisë që pritet të fillojë nga Spitali i ri Memorial që po ndërtohet në Fier. ”Spitali Rajonal Memorial në Fier, që po ndërtohet falë ndihmës së Turqisë, do të jetë spitali i parë që do të pilotojë autonominë spitalore. Modeli që do të zbatojmë në spitalin e ri në Fier do të jetë një gur kilometrik për ndryshimin e menaxhimit të spitaleve tona. Do të sjellë më shumë rritje të cilësisë së shërbimeve për qytetarët, por edhe një model të ri për vlerësimin e personelit shëndetësor, përmes vlerësimit të performancës. Ndaj dua t’iu bëj thirrje të gjithëve ju, mjekë të diasporës, që të jepni kontributin tuaj personal në krijimin e këtij modeli të ri. Brenda dy javësh do të hapim thirrjen për rekrutimin e personelit mjekësor për këtë spital, i cili do të menaxhohet nga kolegë turk për një periudhë, deri sa të ngrihet modeli”.

SHKARKO APP