Saranda vazhdon të mbetet një nga destinacionet e përzgjedhur nga kroçerat dhe anijet turistike
Qyteti bregdetar i Sarandës vazhdon të mbetet një nga destinacionet e përzgjedhur nga kroçerat dhe anijet turistike, që sjellin turistë të huaj për të vizituar vendin tonë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në një postim në rrjetet sociale ndau pamje nga bregdeti i Sarandës, ku turistët e huaj shijojnë bukuritë dhe kulinarin e qytetit bregdetar, i cili është dhe një nga pikat më atraktive të turizmit detar në vendin tonë.
Në videon e publikuar nga Denaj, vërehet se dhjetra turistë shëtisin përgjatë lungomares, ndalen në dyqane dhe përmes cicëronit dëgjojnë historinë e qytetit bregdetar. Po ashtu, turistët ndalen edhe për të shkrepur foto të rastit, për të përjetësuar çastet e kaluara në Sarandë.
Gjatë këtij sezoni turistik numri i turistëve që vijnë me kroçera ka shënuar një fluks të lartë.
Në Sarandë, gjatë periudhës janar-shtator në portin e Sarandës kanë ardhur 50 tragete turistike, nga të cilat 25 kanë qenë kroçera, me turistë të kombësive të ndryshme. Pjesë e itinerarit të turistëve kanë qenë vizitat në pikat turistike të Sarandës si Butrinti, Kalaja e Lëkurësit, plazhet e shumta në qytetin bregdetar, si dhe qytetet e Gjirokastrës, Përmetit, Tepelenës etj. Gjatë këtij viti në port kanë ndaluar 400 jahte.
Plazhet e kristalta të detit Jon dhe trashëgimia e pasur kulturore tërheqin çdo vit e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj.