Sauku me qendër të re shëndetësore, Manastirliu: Shërbim për 13 mijë banorë

Hapet qendra e re shëndetësore në Sauk, e rindërtuar me standarde bashkëkohore, që do t’i ofrojë shërbime cilësore rreth 13 mijë banorëve të kësaj zone. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi sot qendrën shëndetësore të Saukut, e rehabilituar falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me mbështetjen e programit “Shëndet për të Gjithë” të qeverisë zviceriane.

“Rikthehemi në këtë qendër disa muaj më pas dhe e shohim që degradimi i ka lënë vend standardeve më të larta të shërbimit dhe këtu flasim jo vetëm për infrastrukturën por për paketën e plotë të shërbimit në kujdesin parësor, që ofrohet një një staf mjekësor dhe infermieror i trajnuar më së miri”, – tha Manastirliu.

Rindërtimi i kësaj qendre shëndetësore është pjesë e programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin. “Kemi rehabilituar plotësisht 80 qendra shëndetësore, 100 të tjera janë në proces dhe përmbyllen brenda vitit dhe 120 qendra shëndetësore dhe ambulanca do të reabilitohen deri në vitin 2021, duke mbajtur premtimin për transformimin e kujdesit parësor nga veriu në jug”, tha Manastirliu.

Qendra shëndetësore e Saukut i është nënshtruar rehabilitimit të plotë me vlerë 13.2 milionë lekë, bashkëfinancim i qeverisë zvicerane nëpërmjet projektit ”Shëndet për të Gjithë” dhe qeverisë shqiptare. Pas rehabilitimin, qendra shëndetësore e Saukut nis edhe funksionimin si qendër e kujdesit parësor edhe në ditët festive si dhe ditët e diela, duke garantuar shërbim çdo ditë të vitit për banorët e kësaj zone, e cila është populluar së tepërmi vitet e fundit.

Plani i afërt i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është të forcojë shërbimin në komunitet, me vizitat mjekësore në shtëpi për të moshuarit, që e kanë të pamundur të akesojnë qendrat shëndetësore.

SHKARKO APP