S’deklaruan pasurinë. Gjobiten Kumbaro, Doshi, Bushi dhe 3 gjyqtarë e 5 ambasadorë

 

Gjobitet ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro për mosdeklarimin e pasurisë së saj. Bashkë me të janë gjobitur me 100 mijë lekë gjobë edhe deputetët Tom Doshi e Mhill Fufi, kandidati i PS-së për Krujën Artur Bushi si dhe 3 gjyqtarë e 5 ambasadorë.

Bashkë me ta janë gjobitur edhe 69 zyrtarë të tjerë të lartë, të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën periodike vjetore të interesave private. Tre gjyqtarët janë Brunilda Kasmi(Dibra), Osman Aliu dhe Klodian Rado. Kurse ambasadorët e gjobitur janë Pëllumb Qazimi ambasador-Kroaci-Slloveni, Ferit Hoxha ambasador-Misioni OKB/New Jork, Mal Berisha ambasador në Londër, Ridi Kurtez ambasador në Madrid dhe Dritan Tol ambasador në Francë.

“Nga verifikimi paraprak, i kryer nga ILDKPKI, u evidentua se 81 subjekte deklarues nuk kanë përmbushur këtë detyrim ligjor. Për rrjedhojë, ndaj këtyre subjekteve deklarues, shkelës të detyrimit për deklarim pasurie, Inspektori i Përgjithshëm ka aplikuar masën administrative me “gjobë” në vlerën 100.000 (njëqind mijë) lekë. ILDKPKI-ja, u bën thirrje subjekteve që nuk kanë kryer në kohë deklarimin e pasurisë për ta përmbushur atë pa vonesë, pasi mos deklarimi apo refuzimi për të deklaruar interesat private pasi sjell humbje të funksionit publik dhe ndjekje penale, në përputhje me nenin 257/a të Kodit Penal. “, bën me dije Inspektoriali I Laartë I Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.

ILDKPI-ja ka kallëzuar penalisht së fundmi edhe ish-ministrin e Financave Ridvan Bode si dhe deputetin Mark Frroku, i cili është i arrestuar dhe po gjykohet edhe për vrasje.

SHKARKO APP