Sekuestrimi i pasurive kriminale, Skëndaj: Mungon transparenca
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi të konfiskojë 40% të pasurive të Kelmend dhe Bashkim Balilit dhe të shoqërisë në pronësi të tyre. Çështja e cila kërkon një sqarim të thelluar për opinionin publik është ajo e adiminsitrimit të këtyre pasurive nga ana e strukturave shtetërore. Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj thotë se Shqipëria në këtë drejtim ka për të bërë shumë, pasi nuk ka kapacitetet e duhura për të administruar pasuritë me burime problematike.
”Krimi i organizuar dhe çdo vepër penale minon shtetin e së drejtës. Produkti i veprës penale i hiqet personit të dënuar në formë të prerë, dhe më pas vihet nën administrim të shtetit. Në këtë drejtim shteti shqiptar ka për të bërë shumë, e në mënyrë të veçantë sa i përket tek hetimi i korrupsionit në nivele të larta shtetërore. Kjo është një vepër që minon shtetin e së drejtës dhe që më pas krijon lulëzimin e bandave dhe organizatave të strukturuara kriminale dhe kjo më pas mund të çojë në kapjen e shtetit nga bandat kriminale”, tha ajo për ”Euronews”.
Mes tjerash, Skëndaj tha se në procesin e konfiskimit të pasurive të paligjshme ka një mungesë transparence në nivel makro. ”Vetëm me anë të konfiskimit mund të kalojnë në administrimin e plotë të shtetit. Në këtë drejtim, ka një mungesë transparencë në nivel makro. Unë e shikoj si mungesë kapacitetesh”, tha ajo.