Sekuestrimi i pasurive të Agasit dhe Karçanajt, ish-deputeti Koçi: E keqja të luftohet pavarësisht emrave
Ish-deputeti i PS-së, Petro Koçi ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me sekuestrimet e pasurive të lidhura me grupin e AKSHI-t, duke i cilësuar ato si një lajm pozitiv për shoqërinë dhe shtetin. Për të thellimi i hetimeve dhe zbulimi i rasteve abuzive është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të drejtësisë dhe institucioneve.
”Sekuetrimet janë lajm i mirë, sepse sa më shumë të thellohen hetimet dhe të zbulohet e keqja, aq më mirë është për shoqërinë. Kjo krijon mundësi për pastrimin e administratës dhe rrit moralin dhe integritetin e shtetit”, deklaroi ai në ”News 24”.
Koçi vlerësoi gjithashtu punën e SPAK, duke theksuar se institucioni duhet përgëzuar për rezultatet e deritanishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas tij, politika duhet të jetë në mbështetje të drejtësisë, ndërsa këto veprime përbëjnë edhe një sinjal dekurajues për botën e krimit, pavarësisht përkatësive apo emrave konkretë të përfshirë.
”E vërteta duhet respektuar dhe ndëshkimi i të keqes duhet bërë përtej emrave”, u shpreh ai. I pyetur në lidhje me procesin e integrimit, Koçi theksoi se ka nevojë për më shumë transparencë, veçanërisht në çështje që lidhen me partneritetet publike-private dhe statuset e investitorëve strategjikë.
KOHA JONË SONDAZH

