Sekuestrohen 30 kg kanabis me destinacion Selanikun, në pranga 29-vjeçari
Policia kufitare e Kapshticës ka sekuestruar 30 kilogram e dyshuar kanabis sativa, ndërsa në pranga ka rënë poseduesi Aldo Neli, 29 vjeç, banues në Zallher-Tiranë.
Sipas policisë, arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit të detajuar, të ushtruar në vijën e dytë nga shërbimet e Policisë Kufitare, (në dalje të Republikës së Shqipërisë) automjetit tip “Audi” A6 me targa AA960PN, të cilin 29-vjecari drejtonte, në një vend të modifikuar midis sediljes së prapme dhe bagazhit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 31 pako të mbështjella me letër natriban, me peshë 30 kilogram lëndë e dyshuar kannabis sattiva.
Nga veprimet hetimore paraprake, dyshohet se lënda narkotike kishte si destinacion Selanikun. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, ndërsa vijojnë hetimet për personat e tjerë të përfshirë.

